​KEK intensifikon masat mbrojtëse kundër përhapjes së COVID-19

 

Korporata Energjetike e Kosovës ka intensifikuar masat mbrojtëse në vazhdën e përpjekjeve për mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Në këtë drejtim, u.d. kryeshefi ekzekutiv, Luigj Imeri ka kontaktuar të gjithë kolegët të cilët kanë rezultuar pozitiv në testin për COVID-19.

Dy nga nëntë punëtorët e KEK-ut kanë shprehur se kanë simptoma më të theksuara, njëri gjendet në spital për trajtim, ndërsa të tjerët gjenden në vetizolim dhe me gjendje të mirë pa simptoma dhe stabile.

Sot janë testuar edhe 46 nga 63 punëtorët e KEK-ut që dyshohet se kanë pasur kontakt me kolegët e tyre që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Për më tepër, Komiteti i Sigurisë në nivel të Korporatës dhe u.d. kryeshefi ekzekutiv, pas analizimit të situatës, ka vendosur të ndryshojë orarin e punës në njësitë prodhuese DPQ, TCA dhe TCB.

Tani e tutje, në prodhim do të punohet me dy ndërrime nga 12 orë, ndërsa në mirëmbajtje do të punohet në grupe vetëm në ndërrimin e parë gjithashtu me orar 12 orë, hap ky që do të shmangë në masë lëvizjen e punëtorëve, të cilët udhëtojnë nga të gjitha trevat e Kosovës.

Menaxhmenti apelon edhe një herë te të gjithë punëtorët që të jenë vigjilentë kudo që ndodhen në respektimin e rekomandimeve të IKSHKP-së, duke mbajtur distancën sociale dhe përdorimin e pajisjeve të nevojshme higjienike, si pjesë e masave mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e pandemisë.

Back to top button