​Klubi i Prodhuesve kërkon miratimin urgjent të pakos emergjente të rimëkëmbjes

 

Kryetari i Bordit të Klubit të Prodhuesve, Bashkim Osmani së bashku me ekzekutivin e Klubit të Prodhuesve ishin në një takim me kryetaren e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani.

Arsyeja e takimit ishte diskutimi mbi gjendjen e tanishme të sektorit të prodhimit dhe avokimi për ndërmarrjen e disa masave të cilat do të ndikonin drejtpërdrejtë në përmirësimin e kësaj gjendje.

Kryetari i Bordit të Klubit, Bashkim Osmani tha se është tejet e domosdoshme miratimi i menjëhershëm i pakos emergjente të rimëkëmbjes, e cila do të ndihmonte shumë prodhuesit vendorë, ku shumë prej tyre janë në prag të mbylljes së veprimtarisë.

Prandaj është koha e fundit që kjo pako të miratohet dhe të fillojë implementimi i saj, duke krijuar lehtësirat e parapara për ekonominë.

Gjithashtu, Osmani kërkoi nga kryetarja e Kuvendit që të mbështesë edhe Rezolutën e Prodhimit, ku Klubi i Prodhuesve me anë të kësaj rezolute kërkon që industria e prodhimit të shpallet sektor i rëndësisë nacionale, ku Qeveria e Kosovës do të duhej të përkrahë ndërmarrjet prodhuese, me qëllim të rritjes së kapaciteteve të tyre.

Po ashtu, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës do të duhej që rimëkëmbjen ekonomike të vendit ta bazojnë në fuqizimin e industrisë së prodhimit, si zgjidhjen e vetme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Gjatë takim me kryetaren Osmani u përmend edhe iniciativa për prokurim publik, ku Klubi i Prodhuesve të Kosovës kërkon nga institucionet shtetërore dhe ato publike që në procedurat e tenderimit këto institucione të fusin si kriter edhe prodhimin vendor, gjë që do të mbështeste prodhuesit gjatë kësaj krize dhe do të ndihmonte në rimëkëmbjen e tyre.

Kryetarja Osmani shprehu gatishmërinë që të përkrahë këtë rezolutë, por edhe iniciativat tjera kështu duke ju qëndruar prodhuesve gjithnjë pranë.

Back to top button