​Komisioni për legjislacion miraton në parim Projektligjin për Gjykatën Komerciale

 
Komisioni për legjislacion ka miratuar në parim Projektligjin për Gjykatën Komerciale. Nevoja për themelimin e saj u konsiderua e domosdoshme nga mazhoranca dhe një pjesë e opozitës, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës shprehu mëdyshje për rolin e kësaj gjykate në sistemin juridik dhe kushtetues të vendit.
Kryetari i Komisionit për legjislacion, Adnan Rrustemi ka thënë se miratimi i këtij projektligji është i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.
Përkrahje ndaj këtij projektligji ka shprehur edhe Hajdar Beqa nga PDK, por ka thënë se i njëjti është marrë i gatshëm nga ish ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Por mëdyshje për miratimin e tij ka shprehur deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.
“Sot e kam problem ta paketojë në sistemin hierarkik institucional këtë gjykatë. Duhet më shumë informata për sistemin juridik dhe kushtetues për këtë gjykatë”, ka thënë ai.
Derisa e përkrahu miratimi në parim të këtij projektligji, Besnik Tahiri nga AAK ka thënë se partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje me këto veprime po përkrah politika të djathta.

Back to top button