Izraeli: Efikasiteti i vaksinës Pfizer ka rënë
Izraeli ka raportuar të hënën rënie të efikasitetit të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër COVID-19, për ta parandaluar sëmundjen infektive dhe simptomatike, por ka thënë se mbetet shumë efektive në parandalim të sëmundjes së rëndë nga infeksioni.
Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha se efektiviteti i vaksinës në parandalimin e infektimit dhe të sëmundjes me simptoma ka rënë në 64 për qind, por ajo mbetet 93 për qind e efektshme sa i takon shtrimeve në spital dhe simptomave të rënda të sëmundjes.
Një zëdhënës i kompanisë Pfizer nuk ka pranuar që të komentojë të dhënat e shtetit të Izraelit, por ai u bëri jehonë të dhënave nga kërkime të tjera që tregojnë se antitrupat e nxitura nga vaksina janë në gjendje të neutralizojnë të gjitha variantet e koronavirusit, përfshirë Deltën, megjithëse me një fuqi më të ulët.
Rreth 60 për qind e popullsisë së Izraelit kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës Pfizer.