​Konjufca: Muaji i Ramazanit sprovë hyjnore e harmonisë, dhembshurisë dhe dashamirësisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka uruar besimtarët e fesë islame, duke thënë se ky muaj i Ramazanit të jetë i frymëzimit për vepra të mira dhe i shpërblimit të sakrificës e durimit.
Konjufca ka thënë se muaji shenjtë i Ramazanit është sprova hyjnore e harmonisë, dhembshurisë dhe dashamirësisë.
“Ai nxit bujarinë, mirësinë dhe ndjenjën e bukur të solidaritetit dhe vëllazërisë. Ritualet shoqërohen me lutje të shtuara dhe përpjekje më të bashkërenduara për të dëgjuar e recituar fjalët e Kuranit të Shenjtë dhe për të jetuar një jetë etike. Përveç disiplinës fizike, Ramazani inkurajon edhe rritjen e detyrave intelektuale dhe shpirtërore. Agjërimi kërkon t’i nënshtrojmë pasionet tona të ulëta dhe t’i luftojmë zakonet e këqija shoqërore. Shërben gjithashtu si një kujtesë e rëndësishme e përgjegjësisë sonë sociale dhe etike ndaj mbarë njerëzimit. Në këtë mënyrë, muaji i Ramazanit ka mundësi të na afrojë edhe më shumë me Krijuesin tonë”, ka thënë Konjufca.
Konjufca tutje në shkrimin e tij në Facebook u ka uruar besimtarëve të fesë islame agjërim të lehtë./21Media

Back to top button