​Konjufca për Bob Dole: Kosova sot humbi një mik të madh

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të mikut të madh të shqiptarëve, senatorit Bob Dole.
Ai ka thënë se Kosova sot humbi një mik të madh, ndërsa bota një luftëtar të paepur për lirinë dhe demokracinë globale.
“Bob Dole, senatori dhe lideri republikan në SHBA, vizitoi Kosovën në vitin 1990. Kjo vizitë historike alarmoi komunitetin ndërkombëtar për gjendjen e vështirë dhe shkeljen brutale të të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Senatori Bob Dole ishte përkrahës i madh i lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë, si dhe punoi me përkushtim deri në çastet e fundit të jetës për shtet-ndërtimin e Republikës së Kosovës. Në këto momente të dhembjes, zemrat tona bashkëndjejnë me familjen Dole dhe popullin amerikan. Prehu në paqe miku ynë i madh”, shkruan Konjufca.
Miku i madh i shqiptarëve, Bob Dole, heroi i Luftës së Dytë Botërore dhe ish-kandidati republikan për president, ka vdekur në moshën 98-vjeçare
Vdekja e Dole u konfirmua nga Fondacioni Elizabeth Dole në një deklaratë të dielën./21Media

Back to top button