​Krasniqi: I shqetësuar me gjendjen nëpër të cilën po kalojnë qytetarët e Deçanit

 
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar për situatën e krijuar në Deçan pas dyshimeve se mbi 1500 persona u helmuan nga uji i pijshëm.
Krasniqi ka thënë se është i shqetësuar me gjendjen e rëndë nëpër të cilën po kalojnë qytetarët e Deçanit.
Ai ka thënë se helmimi i qytetarëve të Deçanit nuk është vetëm çështje e shëndetit publik por edhe e sigurisë nacionale e cila kërkon mobilizim të gjithmbarshëm të të gjitha niveleve të qeverisjes.
Krasniqi ka drejtuar kritika edhe ndaj ekzekutivit.  “Jam i brengosur edhe për neglizhencën e Qeverisë qendrore, e cila me shumë vonesë po e trajton situatën, në kohën kur duhet të jetë plotësisht pranë qytetarëve të kësaj komune”.
“Duhet të ndërmerren masa të shpejta për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të dëmtuar, mes tjerash duke siguruar medikamente, staf shëndetësor shtesë, si dhe ujë të pijes të sigurt. Po ashtu, duhet ofruar gjithë ndihmën e nevojshme institucioneve lokale dhe siguri për të gjithë qytetarët e Deçanit, duke mos lënë hapësirë për panik. Ftoj institucionet përgjegjëse që ta hetojnë rastin dhe të dalin me konkluzione sqaruese sa më shpejt!“, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Rreth 1 mijë e 500 persona kanë kërkuar trajtim shëndetësor në Komunën e Deçanit që nga e shtuna, nën dyshimet për helmim, ka bërë të ditur drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha./21Media

Back to top button