Trumpi thotë se po shqyrton propozimin e ri iranian për përfundimin e luftës

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar të shtunën se po shqyrton një propozim të ri nga Irani për t’i dhënë fund luftës, por ka shprehur dyshime se mund të arrihet një marrëveshje.
“Do t’ju njoftoj më vonë,” tha ai para se të hipte në Air Force One, duke shtuar se “ata po më japin formulimin e saktë tani”.
Pak pas deklaratës për media, Trump shkroi në rrjete sociale se “nuk mund ta imagjinoj që do të jetë i pranueshëm”, duke shtuar se Irani “ende nuk ka paguar një çmim të madh për atë që ka bërë ndaj njerëzimit dhe botës gjatë 47 vjetëve të fundit”.
Dy media gjysmëzyrtare iraniane, Tasnim dhe Fars, raportuan se Irani ka dërguar një propozim me 14 pika përmes Pakistanit, në përgjigje të një plani amerikan me nëntë pika. Mediat shtetërore iraniane nuk e kanë konfirmuar këtë propozim.
Sipas raportimeve, Pakistani ka shërbyer edhe më herët si ndërmjetës në bisedimet mes Iranit dhe SHBA-së.
Trumpi ka refuzuar një propozim të mëparshëm iranian gjatë kësaj jave, por bisedimet kanë vazhduar dhe armëpushimi tre-javor raportohet se po qëndron.
Ndërkohë, ai ka përmendur edhe një plan për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe ku kalon rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës dhe gazit natyror.