​Krasniqi: Refuzimi i Qeverisë për dialog po vazhdon t’i dëmtojë të gjithë, e më së shumti nxënësit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka reaguar në Facebook duke theksuar se, mbi 300 mijë nxënës po vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi edhe sot, e do të duhej të ishin në shkollë qe gati tri javë.
Ai ka thënë se refuzimi i Qeverisë për dialog po vazhdon t’i dëmtojë të gjithë, e më së shumti nxënësit.
“Nga 1 shtatori, jeta e prindërve dhe mësimdhënësve është vështirësuar edhe më tej. Kjo bllokadë, që po ndodhë si pasojë e kokëfortësisë së Qeverisë, kërkon zgjidhje urgjente. Mësimdhënësit nuk po kërkojnë pazare e as lëmoshë – por, vetëm dinjitet! Dinjiteti është boshti i veprimtarisë së tyre historike dhe qeveria nuk duhet t’ua mohojë këtë vlerë. Janë po këta njerëz që edhe në periudha më të vështira kanë ruajtur dinjitetin tonë njerëzor e kombëtar. Duhet t’i mirëkuptojmë, sepse janë prindërit tonë të dytë. Kryeministër, për hir të fëmijëve, gjej zgjidhje!”, ka shkruar Krasniqi.
Bashkimi i sindikatave të Pavarura të Kosovës nga data 25 gusht ka nisur grevën në sektorin publik. Ata po kërkojnë hartim dhe hyrje në fuqi sa më shpejt të Ligjit të pagave, plotësim-ndryshimin e ligjit mbi skemat pensionale dhe pagesë 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave./21Media

Back to top button