​Kreu i OSBE-së përmbyll vizitën në Kosovë: U informova për reformat në drejtësi

Ministri i Punëve të Jashtme i Polonisë, njëkohësisht kryesues aktual i OSBE-së, Zbigniew Rau, ka thënë se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë ka qenë të informohet rreth reformave në fushën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe avancimit të reformës zgjedhore.
Pas takimeve me liderë politikë, në përmbyllje të vizitës së tij në Kosovë, ministri polak ka thënë se me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë ka diskutuar për mënyrat si OSBE-ja mund të ofrojë ndihmë në teren.
“Qëllimi i vizitës sime ka qenë të takohem me liderë institucionalë, partnerë të misionit të OSBE-së në Kosovë dhe të marrë informata të dorës së parë për sa i përket reformave në vijimësi e sipër në fushën e gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit, rritjes së lirisë së mediave dhe avancimit të reformës zgjedhore, shumë të nevojshme. Kemi diskutuar për mënyra të ndryshme në të cilat OSBE mund të ofrojë ndihmën e saj përmes operacioneve në terren, pranisë së saj në terren. OSBE kontribuon në zhvillimin e mëtejmë të një shoqërie demokratike dhe shumë-etnike. Shpresoj sinqerisht që kjo do të kontribuojë në stabilitetin dhe pajtimin në Evropën Juglindore”, ka thënë ai.
Gjatë ditës, Rau ka takuar presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, kryeministrin Albin Kurti, ministren e Jashtme Donika Gërvalla, si dhe ka zhvilluar takim me ministrin për komunitete dhe kthim Goran Rakiq.
Ministri polak ka takuar edhe kryesuesin e Komisionit Qendror të zgjedhjeve dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Back to top button