​Kurti: 32 vite më parë triumfoi legjitimiteti popullor mbi legalitetin shtypës të Serbisë

Në 32 vjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se 32 vite më parë triumfoi legjitimiteti popullor i vullnetit qytetar mbi legalitetin shtypës të Serbisë.
Kurit ka shkruar në Facebook se më 2 korrik të vitit 1990, përmes Deklaratës Kushtetuese u shpall Republika e Parë e Kosovës. (Parulla kryesore në demonstratat e studentëve dhe punëtorëve në mars e prill 1981, pat qenë: Kosova Republikë)
“Në kushtet e represionit të pushtetit të Serbisë, delegatët u mblodhën jashtë dyerve të
Kuvendit, meqë nuk lejoheshin të hynin brenda”, ka shkruar Kurti.
“Deklarata Kushtetuese u nënshkrua prej 114 delegatëve nga shumica shqiptare e pakicat boshnjake e turke. Kjo deklaratë ishte akt i vetëvendosjes politike dhe artikulim i qartë i vizionit e vullnetit politik të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi. Që ky vullnet të bëhet realitet u bënë shumë sakrifica e flijime, shumë punë e angazhim”.
Tutje, Kurti ka thënë se me krenari e respekt kujtojmë delegatët nënshkrues, ata që janë mes nesh dhe ata në përjetësi.

Sot mbushen 32 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut. Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake./21Media

Back to top button