​Kurti: Punësimet familjare nuk janë vlera të qeverisë sonë

 

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka hedhur poshtë akuzat për punësime familjare, duke thënë se ato nuk janë vlera të qeverisë së tyre.

Gjatë seancës së sotme plenare, Kurti u pyet nga deputeti i PDK-së, Fadil Nura për nepotizmin në kabinetin qeveritar, por që ka thënë se në asnjë rast nuk ka pasur shkelje të ligjit dhe konflikt të interesit.

Deputeti Nura i përmendi me emra dhe mbiemra kryeministrit Kurti ata që sipas tij janë punësuar familjarisht në qeverinë Kurti, e njëri ndër ta, sipas tij është edhe axha i kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

“Ju deklaruat se nuk duhet të mbushen institucionet me familje, e kushërirë janë për te shtëpia dhe fisi është gazmende private. Ndërkohë që jemi dëshmitarë se punësimet e tilla familjare në institucionet publike, jo që janë ndalur, por përkundrazi ato po shpërfaqen me shpejtësi edhe më të madhe. Siç janë Rabit Konjufca, axha i krye parlamentarit Glauk Konjufca, Gëzim Tosuni nipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Gëzim Sveçla, nipi i ministrit Xhelal Sveçla. Sami Uka vëllai i deputetit Fitim Uka i punësuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Drilon Zyba, Shkurte Aliu, Emrush Avdyli, Alban Krasniqi që lista vazhdon. Zotëri kryeministër për një muaj e gjysmë, jo që i keni dalë punësimet familjare, por ato janë dyfishuar”, ka thënë Nura.

Akuzave të deputetit Nura, kryeministri Kurti iu përgjigj duke thënë se të gjithë personat në kabinetin e tij qeveritar janë të përgatitur profesionalisht.

“Kabinetet e ministrive tona kanë persona të përgatitur profesionalisht të gatshëm për t’iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, vendimmarrjes përmes mbiemrave të farefisit, apo punësimit familjarë grupor dhe partiak nuk janë vlera të qeverisjes të mirë dhe këto nuk i kemi. Gëzim Tosuni, anëtarë në KShC, përzgjedhja e tij ka kaluar në fazat e vlerësimit dhe komisioni rekomandues e ka vlerësuar të parin në listë në kategorinë vlerësuese. Andaj edhe MASHT e ka konsideruar person adekuat që duhet të jetë anëtarë. Ajo që është propaganduar për afërsi me zëvendëskryeministrin nuk qëndron. Ne kemi bërë emërime politike, jo punësime familjare. Me këtë rast ministrat i zgjedhin këshilltarët politikë. Këta këshilltarë politikë, ose janë nga shoqëria civile, ose nga komunitetet profesionale të Lëvizjes. Ministri Mehaj ka zgjedhur të zgjedh nga komunitetet profesionale të Lëvizjes këshilltarin e tij Rabit Konjufca i cili akademinë ushtarake e ka kryer para se t’i lind nipi Glauk Konjufca. Pra Glauku njëmend është njeri shumë i pjekur, por është shumë i ri. Merreni me mend këshilltarit politik i ka lindur nipi pasi ka përfunduar akademinë ushtarake. Nuk ka as shkelje të ligjit dhe konflikt interesi në asnjërin rast”, ka thënë Kurti.

Back to top button