​Kurti: Takimi i qershorit s’është për dialogun e moçëm

 

 

Kryeministri Albin Kurti, ka paralajmëruar se takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq pas disa javësh nuk do të jetë për dialogun e moçëm, por diskutim për formatin e bisedimeve për të ardhmen.

Ai gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës ka thënë se për këtë arsye nuk mund të flitet ende për dialog dhe hartimin e ndonjë strategjie.

“Takimi i mesit të qershorit që është paralajmëruar nuk është i paraparë për të vazhduar dialogun e moçëm apo më të moçëm. Por është diskutim për formatin e bisedimeve në të ardhmen. Pra, nuk është takim i dialogut të ardhshëm, por takim për dialogun e ardhshëm”, ka thënë ai.

Por transparencë më të madhe në këtë proces ka kërkuar deputetja e AAK-së Time Kadrijaj.

“Zyrtarët në Bruksel po thonë se ky është rifillim i dialogut. Unë atëherë nuk po di si ta kuptoj. A është ajo çfarë po thonë zyrtarët e Brukselit, apo ajo çfarë thoni ju”, ka thënë Kadrijaj.

Deklarimeve të deputetes Kadriaj, kryeministri Kurti iu përgjigj duke thënë se nuk mban përgjegjësi për deklaratat e të tjerëve.

“Unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për deklaratat e të tjerëve, mirëpo qëndron ajo çfarë kemi thënë më herët. Do të ketë dialog të ardhshëm, por jo vazhdim të dialogut. Ka qeveri të re të Republikës së Kosovës, e cila ka program qeverisës. Ashtu siç e kemi premtuar, në secilën fazë të dialogut do ta ndajmë me Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Në vizitën e tij të fundit në Bruksel, kryeministri Kurti ka paralajmëruar se në qershor “mund të ketë fillim të kapitullit tjetër të dialogut” në Bruksel.

Për dialogun gjatë vizitës së fundit në Kosovë kanë folur edhe i ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë Serbi Mirosllav Lajçak dhe zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit Mathew Palmer.

Ata thanë në Prishtinë se BE dhe SHBA mbesin të përkushtuara në dialogun Kosovë-Serbi, me qëllimin final arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Sa i përket qëllimit final të marrëveshjes Kosovë-Serbi, përfaqësuesi i SHBA Mathew Palmer ishte i drejtpërdrejtë.

Sa u përket kompromiseve të mundshme në dialogun Kosovë-Serbi, që do të çonin drejt arritjes së një marrëveshjeje finale, Palmeri tha se për “kompromise u takon palëve që të diskutojnë dhe të vendosin”.

Dialogu Kosovë-Serbi pritet të rinisë së shpejti gjatë këtij muaji, me një takim të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Back to top button