​Markoviq: Me Kosovën duhet intensifikuar bashkëpunimin ekonomik dhe politik

“Kosova dhe Mali i Zi kanë treguar korrektësi sa i përket bashkëpunimit ndërshtetëror”

“Ne jemi të përkushtuar që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe kemi një agjendë të njëjtë, që do të jetë rruga jonë evropiane”, tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit bilateral me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.

“Kryeministrin e Malit të Zi e përgëzova për zgjedhjen e presidentit të ri, Milo Gjukanoviq. Jemi të lumtur që ky vend zgjodhi një president që ka aspirata të njëjta me vendin tonë, familjen evropiane dhe miqësinë e përhershme me SHBA-të. Vizioni ynë si Kosovë është që të thellojmë raportet miqësore, fqinjësore, ekonomike dhe politike me Malin e Zi. Ky vend ka treguar gatishmëri ta ndihmojë Kosovën në proceset tejet të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar vendi”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Siç njofton Zyra e kryeministrit, për kryeministrin Markoviq, Kosova mbetet një nga vendet me të cilat duhet intensifikuar bashkëpunimi ekonomik dhe partneriteti politik, fusha këto për të cilat Mali i Zi do të përkushtohet që të avancohen, derisa mbështet Kosovën në rrugën e saj evropiane.

Kryeministri i Kosovës dhe ai i Malit të Zi, diskutuan edhe për projektet e përbashkëta infrastrukturore, rrugën që lidhë Kosovën me Malin e Zi, për hekurudhën që përshkon Bjello Polen – Berane – Pejë, për mbështetjen e komunitetit malazez në Kosovë dhe atij shqiptarë në Malin e Zi dhe shumë projekte të tjera të rëndësishme për të dyja vendet.

Back to top button