Meta: Nesër dorëzojmë padi
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta njoftoi se nesër do të depozitohet një padi ndaj Kuvendit.
Kreu i shtetit tha se kemi të bëjmë me një falsifikim të shkresës nga Parlamenti, që sipas tij është një gjë e rëndë dhe kriminale.
“Nesër në orën 09:00 në faqen zyrtare të presidentit do të jenë të publikuara 72 pyetjet dhe përgjigjet. Do t’u përgjigjem disa prej tyre që besoj se kanë interes për ju. Veprimtaria ime ka qenë e qartë për të gjithë palët. Nuk kam mbështetur asnjë subjekt në zgjedhje. Nesër ne do të dorëzojmë padi, pasi është gjë shumë e rëndë dhe kriminale që në Gjykatën Kushtetuese, gjykatën më të lartë të vendit, Kuvendi të dorëzojë një provë gjoja të re, që është falsifikim për të justifikuar dhunimin e procedurave në këtë proces farsë që synon kapjen e institucionit të presidentit”, tha Meta.
Gjykata Kushtetuese u tërhoq ditën e sotme për të marrë një vendim rreth kushtetutshmërisë ose jo të kërkesës së Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e presidentit të Ilir Meta, dhe do të vijë me një vendim brenda 30 ditësh.
Pas këtij vendimit, Këshilltari për Çështjet Ligjore të Presidentit, Bledar Dervishaj, doli në një deklaratë për mediat, ku dha detaje lidhur me “shkeljet e pretenduara”.
Dervishaj tha se Kuvendi ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, falsifikoi dokumentin për të plotësuar afatin 48 orësh që thotë rregullorja e Kuvendit se duhet plotësuar, për ta çuar në seancë plenare një vendimmarrje të komisioneve parlamentare./21Media