​Nagavci kërkon serish nga mësimdhënësit t’i japin fund grevës

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u ka bërë sot thirrje mësimdhënësve që të ndërpresin grevën dhe t’i kthehen procesit mësimor.
Nagavci ka mirëpritur fillimin e mësimit në disa shkolla të komunës së Gjakovës, ndërkohë që greva në shkollat e tjera të vendit po vazhdon që nga 25 gushti.
“I falënderoj mësimdhënësit e Gjakovës dhe të gjithë ata mësimdhënës kudo në Kosovë, që e kanë kuptuar drejt situatën, kërkesën tonë për fillimin e mësimit dhe veprimet serioze që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për ta përmirësuar situatën financiare të të gjithë qytetarëve, përfshirë mësimdhënësit dhe familjet e tyre”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Ndërkohë që SBASHK-u ka këmbëngulur të mos heqë dorë nga kërkesat për 100 euro shtesë deri në miratimin e ligjit të pagave, ministrja Nagavci theksoi Qeveria po punon për të përmirësuar situatën në arsim dhe se këtë javë ligji për pagat do të del në debat publik.
“I mirëkuptoj kërkesat tuaja dhe ju kam në vëmendje të vazhdueshme, por dialogu social mund të vazhdojë tutje edhe pa e dëmtuar të ardhmen e fëmijëve. Nuk do të lëmë anash asnjë shqetësim të mësimdhënësve, përfshirë mirëqenien tuaj, ashtu siç kemi marrë një sërë veprimesh konkrete deri më tani për të zgjidhë secilën vështirësi me të cilën ballafaqoheni”, ka thënë Nagavci./21Media

Back to top button