​Në objektin e Gjykatës Themelore në Pejës vihet mbishkrimi “Kjo gjykatë është armike e grave”

 
Në muajin gusht, gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Pejë, Florije Zatriqi vendosi dënimin prej vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim për dhunuesin e 15-vjeçares. Rast ky që kishte ndodhur në 2012-tën.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dënimin e ka cilësuar si akt tjetër të dhunës së institucionalizuar ndaj vajzave dhe grave.
Me ç’rast Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në objektin e Gjykatës Themelore në Pejë vendosi mbishkrimin “Këtu vajzat e gratë dhunohen për s’dytsh”, “Kjo gjykatë është armike e grave!”.
“Teksa shteti i Kosovës vazhdon të sillet e të veprojë kundër të gjitha ligjeve të cilat i ka nxjerrë vetë, ‘drejtësia’ është duke punuar kundër grave e në favor të dhunës e dominimit, duke amnistuar burrat kriminelë. Ndonëse Kodi Penal, sanksionon se dhunimi seksual është i dënueshëm me 5 deri në 20 vite burgim, Gjykata Themelore në Pejë, abuzon me diskrecionin e saj në kurriz të vajzave dhe grave. Kjo qasje paternaliste, ku dhunuesit krijohen e mirëmbahen është duke e bërë trupin e vajzave dhe grave çdo herë e më lehtë të cenueshëm e duke i shndërruar burrat në kriminelë-dhunues të vajzave dhe grave. Dhënia e këtij dënimi jolegjitim, teksa e lë në liri kriminelin, na vendosë të gjitha vajzave dhe grave në gjendje pasigurie. Megjithatë, ky vendim përveç që na tronditë dhe na frikëson, është duke na dhënë sinjale që ne duhet të organizohemi për ta fituar sigurinë tonë dhe për të jetuar pa frikë dhe të lira nga dhuna e shumëfishtë institucionale. Përderisa shteti është kundër nesh e për dhunë, ne do të rezistojmë edhe kundër tij e çdo institucioni që ushqehet me shtypje e që në fund derivon përdhunim e vrasje të vajzave e grave”, thuhet në reagim.
Dënim si ky për një dhunues nxiti reagime të shumta. Për këtë reagoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu./21Media 

Back to top button