Nesër mbahet afati i dytë i Provimit të Maturës Shtetërore
Për të gjithë maturantët të cilët nuk kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë organizon Provimin e Maturës Shtetërore (afati i dytë), nesër në orën 10:00.
Testimit në afatin e dytë do t’i nënshtrohen rreth 6 mijë e 700 maturantë në 68 qendra të testimit, ndërsa në këtë proces do të angazhohen rreth 200 komisionerë, 130 mbikëqyrës, 65 vëzhgues, si dhe 650 administrues.
Në koordinim me drejtoritë komunale të arsimit dhe me shkollat, MAShTI thotë se ka bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë.
Duke pasur parasysh situatën me pandeminë, MAShTI kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në Provimin e Maturës që të respektojnë me përpikëri masat kundër pandemisë.
MAShTI, po ashtu, kërkon nga të gjithë personat e angazhuar në proces që të realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, ndërsa kërkon që çdo parregullsi të raportohet me shkrim në DKA dhe këtë ministri.
Rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më datën 8 shtator./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?