​Njohja e pensioneve me Kroacinë, Rama: Përfitojnë rreth 3 mijë

Shqipëria dhe Kroacia përfunduan raundin e parë të negociatave për marrëveshjen e sigurimeve shoqërore.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Rama theksoi se “pas përfundimit të procesit teknik do të ndiqen të gjitha procedurat për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje”.
“Rreth 3 mijë shtetas shqiptarë që punojnë në këtë vend do të përfitojnë nga kjo marrëveshje, e cila në përfundim të proceseve teknike do të ratifikohet nga parlamentet respektive”, tha Rama.
Delegacioni shqiptar u kryesua nga zëvendministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani ndërsa delegacioni kroat u kryesua nga Melita Čičak, drejtore i Sistemit të Pensioneve.
Palët ranë dakord për vijimin e bashkëpunimit me qëllim finalizimin e një marrëveshjeje të plotë për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore midis dy vendeve, në përputhje me standardet e legjislacionit evropian në fushën e sigurimeve.
Shqipëria ka aktualisht marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të pensioneve me Hungarinë, Çekinë, Gjermani, Maqedoninë e Veriut, Luksemburgun, Bullgarinë, Austrinë, Turqinë dhe Belgjikën.
Procesi i njohjes së pensioneve është në avancim edhe me shtete si Kanadaja, Bullgaria e Zvicra. Ndërkohë bisedimet vijojnë edhe me Italinë dhe Greqinë, dy vende këto ku jetojnë e punojnë numri më i madh i shqiptarëve jashtë vendit.

Back to top button