Liberalizimi i vizave brenda këtij viti?

3 min read

Procesi i liberalizimit i bllokuar prej 6 vjetësh në Këshillin e BE-së pritet të sillet në agjendën e tij së shpejti. Kështu të paktën thonë burime diplomatike në Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian sërish u bëri thirrjeve vendeve anëtare të BE-së që të liberalizohen vizat për Kosovën. Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Punët e Brendshme, Migracionin dhe Sigurinë e Brendshme, Anitta Hipper ka paralajmëruar se brenda vitit KE do të paraqes edhe një raport teknik për çështjen e vizave për Kosovën.

“Ne i inkurajojmë vendet e BE-së që të vazhdojnë me heqjen e vizave për Kosovën. Përveç kësaj, ne ofrojmë rregullisht një pasqyrë të performancës së Kosovës në fusha të ndryshme relevante për standardet përmes raporteve të vendeve të zgjerimit. Për të mbështetur vendimmarrjen e shteteve anëtare, ne do të prezantojmë këtë vit raportin tonë të zgjerimit 2022 të shoqëruar me një përditësim teknik për çështjen e liberalizimit të vizave”, ka thënë ajo.

Komisioni Evropian e konfirmoi për herë të parë në Maj të vitit 2016 se Kosova i përmbushi të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Por çështja e vizave u zvarrit prej vitesh, qoftë për shkak të problemeve brenda Kosovës qoftë edhe për shkak të kundërshtimeve të një numri vendesh anëtare të BE-së.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane nga radhët e partisë në opozitë LDK, Rrezarta Krasniqi i tha RTV21 se shpreson që kësaj radhe të ketë veprime konkrete dhe jo vetëm fjale.

“Deri më tani kemi dëgjuar deklarata të ndryshme optimiste për sa i përket liberalizimit të vizave, por kanë munguar veprimet konkrete. Është zhgënjyese se si një nga popujt më pro perëndimor në Ballkan, vazhdon të mbahet i izoluar, përkundër faktit se është konfirmuar për disa herë me radhë se janë plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara për lëvizje të lirë. Tani me qenë se flitet për një situatë të re, uroj që të ketë edhe veprime konkrete dhe të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve” ka thënë ajo.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane nga radhët e partisë në pushtet Agon Batusha tha se brenda pak muajsh pret që kjo, siç e cilësoi, padrejtësi ndaj qytetarëve të Kosovës të marr fund.

“Thirrjet brenda BE-së për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës sa vijnë dhe po rriten. Është inkurajuese ndryshimi pozitiv i qëndrimit francez. Të gjitha kriteret dhe kërkesat shtesë ne si institucione të Republikës i kemi plotësuar në plotni. Andaj, presim që muajin e ardhshëm të kemi lëvizje drejtë liberalizimit të vizave nga BE-ja, respektivisht nga shtetet anëtare. Këtë vjeshtë presim që kjo padrejtësi të marrë fund”, ka thënë Batusha.

Por, analisti politik Fidan Ukaj është optimist se vendimi për liberalizmin e vizave mund të merret këtë vit porse procedurat teknike për lëvizje të lirë do të marrin ende kohë!

BE ka hequr vizat në vitin 2009 dhe 2010 për gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, kurse Kosova është vendi i vetëm që ende përballet me regjim vizash./21Media