​Osmani: Krijimi i aleancave të reja mbetet qëllim strategjik i politikës të jashtme

Presidentja, Vjosa Osmani e ka përfunduar vizitën e saj në Katar, teksa ka theksuar se forcimi i aleancave ekzistuese dhe krijimi i aleancave të reja mbetet qëllim strategjik i politikës të jashtme.
Osmani ka shkruar tutje se vizita e saj në Katar ishte një mundësi e shkëlqyer për ta vënë Kosovën në hartën ndërkombëtare të diskutimeve për sfidat aktuale globale, si faktor i dëshmuar për paqe dhe stabilitet.
”Kosova mund të jetë një vend i vogël në sipërfaqe, por zëri ynë është i fuqishëm dhe historia jonë është e rëndësishme për t’u dëgjuar në çdo cep të botës. Përgjatë vizitës, pata mundësi që t’i takoj udhëheqësit e shtetit të Katarit, përfaqësues të shteteve njohëse e jonjohëse, miq të Kosovës dhe shtete me të cilat po punojmë t’i intensifikojmë raportet ndërshtetërore. Në fjalimin përmbyllës në Forumin e Dohas, para qindra pjesëmarrësve nga e gjithë bota, kam paraqitur perspektivën e Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit globale”, ka shkruar Osmani.
Presidentja është takuar edhe me përfaqësues të komunitetit të biznesit me të cilët ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për thellim të bashkëpunimit në fushat me pontencial për investim në Kosovë, Fondacionin e Katarit si dhe institute nga vende të ndryshme.
”Asnjë vizitë nuk është e plotë pa diskutime me komunitetin akademik dhe me bashkatdhetarët tanë, prandaj kisha kënaqësinë që t’u drejtohem edhe qindra studiuesve si dhe të bashkëbisedoj me shqiptarët që punojnë e veprojnë në Katar”, ka shkruar tutje Osmani./21Media

Back to top button