​Osmani me senatorët amerikanë: Kontinenti ynë nën kërcënim nga Rusia e Serbia

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis, me ç’rast i ka informuar mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon.
Në një konferencë për media pas takimit, e para e shtetit tonë tha se kontinenti evropian ndodhet nën kërcënim si rezultat i destabilizimit nga ana e Rusisë, teksa aleati i saj Serbia po vazhdon me rolin e saj destruktiv në rajon.
“Natyrisht që nuk është sekret se rendi i sigurisë brenda kontinentit evropian është nën kërcënim. Ka pasur dhe vazhdon të ketë një interesim serioz nga Rusia që ta destabilizojë kontinentin dhe rajonin tonë. Informova mysafirët tanë nga Senati i SHBA-së, po ashtu për rolin destruktiv që Serbia vazhdon ta luajë në rajonin tonë si aleat i Rusisë, në një përpjekje për të tërhequr rajonin tonë drejt të së kaluarës. Por kam besimin e plotë se ne bashkërisht do të jemi në gjendje t’i ndalojmë këto ndikime malinje për dy arsye kryesore. E para, sepse ky është vullnet i popullit të Kosovës si populli më pro-amerikan dhe më pro-NATO në botë. Dhe e dyta kam besim të plotë se kemi treguar deri tani se kur punojmë se bashku me SHBA mund të arrijmë gjithçka”, theksoi ajo.
Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, në një konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, tha se vizituan kampin Bondsteel për t’u njohur nga afër me situatën e sigurisë në rajon. Ajo ka falënderuar Kosovën për strehimin e shtetasve afganë.
Senatorja Shaheen po ashtu tregoi për vizitën që kanë realizuar te busti i ish-sekretares së Shtetit Madeleine Albright.
“Ne e vlerësojmë historinë dhe përkujtimin tuaj për ish-sekretaren tonë Madeleine Albright. Patëm rastin ta shohim statujën ku është ngritur. Ne patëm një takim me një të moshuar, i cili dëshiroi ta na sqarojë se sa e rëndësishme ishte Albright për vendin tuaj”, tha ajo.
Më tej, senatorja Shaheen tha se janë informuar nga forcat amerikane për situatën e sigurisë në rajon gjatë vizitës në kampin Bondsteel.
“Këtu jemi si pjesë e miqësisë që ka SHBA, sepse i kemi vlerat dhe përkushtimin për të ardhmen e këtij vendi. I mirëpresim aspiratat e këtij vendi për të qenë pjesë e NATO-s. Gjithashtu dëshirojmë të shprehim përkrahej tonë për aspiratat tuaja për të lëvizur drejt BE-së. Natyrisht që i ndajmë edhe shqetësimet tuaja për rajonin. Dhe një prej arsyeve që shkuam në Bondsteel ishte që të njoftohemi edhe nga forcat amerikane atje, të cilat janë pjesë e NATO-s. Mendojmë se janë të rëndësishme për të mbajtur sigurinë e vendit dhe rajonit. Natyrisht vlerësojmë shumë punën që e bëjnë ata atje. Mirëpresim mundësinë për të punuar bashkërisht edhe më tej, për të shkëmbyer idetë, sfidat me të cilat përballemi të gjithë, përderisa vazhdojmë në këtë mjedisin e sigurisë me të cilin po përballemi në Evropë, me atë që po ndodh në Ukrainë dhe me agresionin e Rusisë. Nuk dëshirojmë që kjo të ndodhë askund tjetër në Evropë dhe të shohim që ka marrë fund sa më shpejt që është e mundur”, tha ajo.
Tre senatorët amerikanë Chris Murphy, Thom Tillis dhe Jeanne Shaheen, kanë ardhur në Kosovë nga Sarajeva, pasi kanë përfunduar vizitën në Beograd. Ata gjatë ditës do të takohen edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Back to top button