​Osmani në Mynih, takime me figura të rëndësishme ndërkombëtare

Në margjina të Konferencës për Siguri në Mynih, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar takimet bilaterale me politikanë e përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
Osmani u takua me senatoren amerikane Amy Klobuchar, me të cilën u diksutua bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve.
“Presidentja Osmani rikonfirmoi qëndrimin se SHBA-të vazhdojnë të mbesin aleati kryesor dhe partneri strategjik i Republikës së Kosovës. Presidentja po ashtu ka theksuar se përkrahja amerikane është jetike në përmbushjen e objektivave të politikës së jashtme, sidomos në procesin e anëtarësimit në NATO dhe OKB”, thuhet në njoftimin nga Presidenca.
Sipas këtij njoftimi, Osmani në takime të ndara ka takuar edhe sekretarin gjeneral te INTERPOL-it, Jurgen Stock dhe drejtoreshën e EUROPOL-it, Katherine de Bolle.
Sipas Presidencës gjatë qëndrimit në Mynih, Osmani ka takuar David Harris, drejtor ekzekutiv i Komunitetit hebrejo-amerikan, me të cilin ka diskutuar për raportet me SHBA-të dhe Izraelin, dhe gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të thelluar edhe më tej raportet me të dyja shtetet.
Në vazhdën e takimeve, Presidentja ka takuar kryesuesin e Konferencës për Siguri, Wolfgang Ischinger. Në këtë takim, Presidentja ka falënderuar Ischinger për lidershipin e tij në udhëheqjen e Konferencës së Sigurisë për vite me radhë, meqë kjo ishte edhe konferenca e fundit nën udhëheqjen e tij./21Media

Back to top button