​PDK konstituon shtabet zgjedhore në Itali, Francë dhe Suedi

 

Partia Demokratike e Kosovës në mbledhjet virtuale të mbajtura mes aktivistëve të saj në diasporë dhe Departamentit të Diasporës në PDK, formoi shtabet zgjedhore në Itali, Francë dhe Suedi.

Koordinator i shtabit të PDK-së në Itali u zgjodh Patriot Krasniqi, koordinatorë për degën në Francë u caktuan Shpëtim Kiçina, Blerim Osmani, Sinan Xhema dhe Isak Shabani, ndërsa në Suedi Këshillin Themeltar të degës së PDK-së do ta udhëheqë Gani Abazi, kurse shtabin zgjedhor Ferat Meha.

Drejtori i Departamentit për Diasporë në PDK, Elmi Reçica në këto takime virtuale ka theksuar se zgjedhjet e 14 shkurtit janë betejë për shtetin, e cila e përcakton rrugën nga do të lëvizë Kosova.

“I ashtuquajturi koalicion i shpresës ishte koalicioni më dëshpërues dhe më i dëmshëm për vendin, pasi çdo gjë e ka shtri për tokë”, ka thënë ai.

Të pranishmit në këtë diskutim ngritën disa çështjet që i shqetësojnë bashkatdhetarët në diasporë, sikurse problemi me patentë shoferët. Madje, pati kërkesa edhe për digjitalizimin e sistemit për nxjerrjen e dokumenteve personale, në mënyrë që bashkatdhetarët të mos humbin kohë duke udhëtuar me qindra kilometra për t’u pajisur me dokumente në ambasadat e Kosovës, në shtetet ku ata jetojnë.

Përfaqësuesit e shtabeve të degëve në Itali, Francë dhe Suedi u zotuan se do të angazhohen maksimalisht për fitoren e PDK-së në zgjedhje./21Media

Back to top button