​Përkundër pandemisë, LDK-së i lejohet të mbajë Kuvendin zgjedhor me mbi 300 delegatë

 

Mbi 300 delegatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës do mblidhen nesër për të zgjedhur kryetarin e ri të kësaj partie. Kuvendi i kësaj partie po mbahet në kohën kur rastet me koronavirus në Kosovë janë në rritje, por në LDK thanë se tashmë janë pajisur me leje nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Sekretari i LDK-së, Arban Abrashi deklaroi për Kpse përveç kandidaturave që janë shpallur deri tani nga katër zyrtarë të partisë, janë të hapur edhe për emra të tjerë nesër nëse vlerësojnë delegatët.

50 persona është numri që lejohet të grumbullohet në hapësira të mbyllura sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, por për Kuvendin e nesërm zgjedhor të LDK-së, është lejuar që të mblidhen 335 delegatë.

Lidhur me këtë, sekretari i LDK-së, Arban Abrashi tha se për shkak të masave anti-Covid nuk do të ketë mysafirë të tjerë.

“Një shqetësim i yni i madh që ka qenë ditëve te fundit kanë edhe çështjet qe ndërlidhen me pandeminë, ne jemi pajisur me leje nga Instituti duke përfshirë edhe disa kushte që ne duhet t’i zbatojmë sikurse dezinfektimi i sallës, distanca, maskat e kështu me radhë”, tha ai.

Abrashi bëri të ditur se Kuvendi do të nisë në orën 10:00 në Hotel “Emerald” në një sallë të madhe por që tha se do të ketë edhe salla të tjera përcjellëse në mënyrë që të bëhet shpërndarja e delegatëve.

Deri tani, kandidaturën për kryetar të LDK-së e ka shpallur Anton Quni, Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku e Besian Mustafa.

“Tanimë edhe publiku edhe ne i dimë disa kandidatura që janë bërë publike por edhe nesër është në vullnetin e delegatëve dhe të vet Kuvendit që të propozojë ndoshta edhe dikë tjetër prandaj jemi të hapur për kandidatura sepse kjo ka qenë vullneti pak a shumë edhe i kryesisë dhe kryetarëve të degëve gjatë këtyre konsultimeve që kemi pasur javëve te kaluara në mënyrë që gara të jetë sa më e hapur sa më fer dhe përmes një votimi të fshehtë të zgjidhet kryetari i ri i LDK-së”, tha ai.

Kuvendin e nesërm të LDK-së do ta monitorojë edhe një ekip i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kryetari i deritanishëm i LDK-së, Isa Mustafa ka dhënë dorëheqje nga pozita e të parit të partisë pas rezultatit që kanë marrë në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, kur LDK ka dalë partia e tretë.

Back to top button