​Përurohet Dhoma për intervistimin e të miturve në Prokurorinë Themelore të Gjakovës

 
Sot është përuruar Dhoma për intervistimin e të miturve në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, projekt ky i financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Jetish Maloku, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala, dhe përfaqësues të Ambasadës amerikane në Kosovë, të kryesuar nga Shawn Waddoups, drejtor i Zyrës Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Çështje të Zbatimit të Ligjit.
Kryesuesi Maloku ka shprehur mirënjohje të thellë për Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, e cila ka mbështetur realizimin e këtij projekti, duke theksuar se mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka krijuar një imazh më të mirë për sistemin prokurorial të Kosovës.
Për rëndësinë e Projektit të “Dhomës për intervistimin e të miturve” në ngritjen e efikasitetit të punës në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, ka folur kreu i kësaj prokurorie, Ramiz Buzhala, duke thënë se krijimi i kushteve më të mira për intervistimin e të miturve do të ndikojë në efikasitet më të madh në punën e këtij departamenti.
Ndërsa, drejtori Waddoups është shprehur i lumtur për finalizimin e këtij projekti, duke shprehur gatishmërinë e Ambasadës së SHBA-së për ofrimin e mbështetjes së mëtutjeshme për sistemin prokurorial në Kosovë.
Donacionet e tilla të Ambasadës Amerikane në Kosovë janë dhënë edhe për pesë prokurori të tjera themelore të Kosovës.

Back to top button