​Prishtina shënon Ditën e çlirimit, gazetari britanik shpallet qytetar nderi

Sot mbushen 23 vjet nga tërheqja e forcave kriminale ushtarake serbe nga Kosova, duke shënuar kështu fundin e pushtimit serb.
Për nder të ditës së çlirimit të Prishtinës, është mbajtur seanca solemne në Komunën e Prishtinës, ku edhe është shpallur qytetar nderi gazetari britanik, Vaughan Smith.
I pari i kryeqytetit, Përparim Rama tha se sot 23 vite më parë qytetarëve iu kthye shpresa për ditë më të mira. Ndërsa ka shtuar se ende ka shumë punë për të bërë në këtë kapitull.
”Sot 23-vite më parë Prishtinës ju kthye shpresa, iu kthye shpërblimi i brezave dhe i sakrificave shumëvjeçare për të drejtën më të shtrenjtë, lirinë. Në kujtesën tonë kjo ditë ende mbetet e shenjtë, sepse mijëra fëmijë, gra e burra, mijëra familje kosovare sakrifikuan jetën për ëndrrën tonë të përbashkët. Falë tyre sot atë ëndërr e gëzojmë si realitet të lirë në vendin tonë… Shumëçka ka ndryshuar për të mirë prej atëherë, por rruga është ende e gjatë.  Në këtë kapitull të ri është tash radha jonë ta nderojmë veprën e tyre që u sakrifikuan për liri dhe jo vetëm me fjalë por me punë konkrete. Jemi në ata që tashmë kemi shumë punë për të bërë, punë që duhet e duket e të preket në jetët tona të përditshme… Le ta kujtojmë 11 Qershorin me premtimin se misioni ynë është të punojmë për brezat që po vinë, për hirë të sakrificës së tyre që sot nuk janë më në mesin tonë”, u shpreh Rama.
Ndërkaq, kryesuesi i Kuvendit, Fehmi Kupina gjatë një fjalimi të mbajtur ka kujtuar rëndësinë e kësaj dite. Ai ka thënë se të gjithë e kanë obligim të punojnë ndershëm për të mirën e qytetarëve.
”Ne jemi të vetëdijshëm se edhe tani kemi vështirësi të shumta në kuptim të zhvillimit të përgjithshëm dhe të përmirësimit të kushteve jetësore të qytetareve të kryeqytetit tonë…12:14 Ne jemi të vetëdijshëm se këto të arritura, neve nuk duhet të na japin komodidetin e vetëkënaqësisë, pasi që qytetari ka nevojë çdo dite ta ndiej dorën e Komunës në ngritjen e mirëqenies së tij në kuptim social dhe infrastrukturës së përgjithshme. Prandaj obligimi i yni është që asnjëherë të mos ndalemi duke punuar ndershëm për të mirën e Prishtinës dhe qytetarëve të saj”, tha ai.
Përfaqësuesi i shoqatave të dalura nga lufta të UÇK-së, Fatmir Sopi uroi të gjithë qytetarët për këtë ditë, ndërsa ka shtuar se shteti duhet ta ketë vullnetin të merret me secilin që ka kontribuar për këtë liri që e gëzojmë sot. Ai po ashtu ka përmendur edhe udhëheqësit e UÇK-së, duke thënë që gjenden padrejtësisht në Hagë.
Komuna e Prishtinës po shënon këtë ditë edhe me homazhe pran varrezave të dëshmorëve dhe aktivitete tjera. /kp

Back to top button