​Qeveria e Kosovës ndan 100 mijë euro ndihmë për Preshevën

 
Kosova ka ndarë 100 mijë euro për Komunën e Preshevës e cila ka pësuar dëme nga vërshimet e fundit, mjete këto të ndara nga rezervat e shtetit.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka thënë se për Preshevën janë ndarë mjete edhe nga Bashkia e Tiranës dhe nga Komuna e Prishtinës.
“U informova gjerësisht për dëmet e shkaktuara nga reshjet në Komunën e Preshevës, dhe kapin vlerën totale 325 mijë euro. Deri më tash Bashkia e Tiranës i ka ndihmuar me 50 mijë, Komuna e Prishtinës me 50 mijë euro”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, ministri i Financave Hekuran Murati është shprehur se mjetet financiare të ndara nuk e mbulojnë tërësisht dëmin që u shkaktua atje, por që kjo është solidarizim i Qeverisë me siç tha ai, vëllezërit andej kufirit.
“Me këtë vendim parashihet të ndahen mjete financiare në vlerë prej 100 mijë euro, dhe kjo në emër të ndihmës për mbulimin pjesërisht pas dëmeve nga vërshimet në komunën e Preshevës. Këto mjete financiare, nuk është se mbulon tërësisht, por së paku është një solidarizim i Qeverisë së Kosovës me vëllezërit tanë andej kufirit. Mjetet financiare të këtij vendimi merren nga nën-programi i shpenzimeve të pa-parashikuara, kategoria e shpenzimeve-rezerva”, ka bërë të ditur Murati.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se Serbia ende nuk ka ndarë “asnjë cent” për këtë fatkeqësi në Preshevë.

Back to top button