Qeveria lejon mbajtjen e dasmave dhe mbrëmjet e maturës

 
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për masat e reja antiCovid-19, duke lejuar mbajtjen e ahengjeve si dasmat, fejesat dhe mbrëmjet e maturës deri në orën 23:00. Qeveria e Kosovës në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), ka marrë vendim që organizimi i dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, është i lejuar me kusht që të shfrytëzohet 30 për qind e kapacitetit të hapësirës(30 persona për 100m2), por jo më shumë se 200 të ftuar në rastet kur 30 për qind e kapacitetit të hapësirës tejkalon këtë numër.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia theksoi se sipas raportit të fundit të IKShPK-së situata epidemiologjike me Covid-19 në Kosovë paraqitet e qëndrueshme me vazhdimin e uljes së rasteve pozitive.
Vitia tha se lehtësimi i masave natyrisht është duke u bërë në raport me tri objektivat kryesore: parandalimin e përhapjes së infeksionit me Covid-19, mos cenimi I aktiviteteve ekonomike, por duke pasur parasysh prioritet ruajtjen e jetës dhe shëndetit publik dhe ruajtja e shëndetit fizik dhe mendor e qytetarëve tonë.
“Masat e përcaktuara me këtë propozim vendim si dhe afatet kohore shërbejnë që situata epidemiologjike të mbahet nën kontroll edhe për kundër të dhënave optimiste epidemiologjike në raport me Covid-19. Heqja graduale kufizimeve po bëhet me përgjegjësi dhe me përgatitjet e nevojshme për përballje me një situatë eventuale të rritjes së numrit të infeksioneve. Andaj, ndryshimi I situatës epidemiologjike rrjedhimisht kërkon vendime me masa të reja konfrom situatës së re. Vlerësimi i marrjes së masave të reja lehtësuese apo kufizuese do të bëhet prapë pas dy jave. Prandaj, në bazë të rekomandimeve të dhëna nga Instituti Kombëtar I Shëndetësisë Publike, ministritë e linjës, palët e interesit dhe ekspertët përkatës kërkoi aprovimin e propozim vendimit për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19”, theksoi Vitia.
Po ashtu në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është miratuar projektligji për ratifikimin e amendamentit numër 1 të Marrëveshjes Kornizë së Kredisë të datës 14 gusht 2020 ndërmjet Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit, “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se ky amendament i shton marrëveshjes bazë edhe 20 milionë euro që gjithsej janë 60 milionë euro.
“Ky projektligj është finalizim i punëve që janë bërë që parashihen sipas procedurave në dispozitat e Ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare dhe tani pas nënshkrimit procedohet si projektligj për ratifikim në kuvendin e Kosovës. Ky amendament i marrëveshjes kornizë i shtohet projektit bazë edhe 25 milionë euro të tjera dhe kësisoj arrihet shuma totale prej 60 milionë euro të cilat janë të dedikuara për sektorin e shëndetësisë”, tha Murati.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Murati bëri me dije se për këtë kredi, nuk do të paguhet asnjë tarifë zotimi.

Back to top button