​Qytetarët nderojnë veprën e komandantit Adem Jashari

 

Pas tri ditë aktivitetesh të shumta, sonte me ndezjen e flakadanëve në Prekaz përfundoi manifestimi Epopeja e lavdishme e UÇK-së, në 23-vjetorin e rënies heroike të komandantit të saj legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij.

Shënimi i kësaj date të madhe në historinë e kombit shqiptar u mbajt me një sërë aktivitetesh kulturore-sportive dhe homazhe në nderim të atyre që ranë për të mos vdekur kurrë.

Qytetarë nga të gjitha pjesët e Kosovës dhe trojet tjera shqiptare, për tri ditë radhazi shkuan në Prekaz, për të nderuar dhe kujtuar jetën dhe veprën e komandant Adem Jashari dhe familjes së tij në betejën e lavdishme të 5, 6 e 7 marsit 1998.

Astrit Beka, qytetar, i cili shkoi në Prekaz për natën e zjarreve tha se falë Adem Jasharit dhe UÇK-së populli shqiptar gëzon lirinë sot.

“Kjo është shumë me rëndësi se gjatë luftimeve këtu ka ardhur lajmi se ne kërkojmë liri. Këtë e ka bërë Adem Jashari. Ka dhënë shumë për Kosovën dhe falë tyre dhe ushtarëve të UÇK-së jemi ku jemi sot”, tha ai.

Genc Sabibaj, ish-ushtar i UÇK-së nga Mitrovica, tha se sakrifica e Jasharëve ka motivuar njerëzit për liri, ku sakrifica e tyre po nderohet prej të gjithë shqiptarëve.

“Ka rëndësi për gjithë popullin shqiptar, për sakrificën që kanë bërë për vendin, dhe të gjithë këta qytetarë tregojnë se sakrifica e tyre po nderohet, dhe mendoj që do të nderohet sa të ketë shqiptarë në këtë tokë. Edhe unë jam pjesë e UÇK-së, kam qenë në Prekaz ushtar, sigurisht ka ndikuar njerëzit janë mbështetur dhe janë motivuar prej sakrificës së Jasharëve, dhe sot e gëzojmë lirinë”, tha ai.

Selë Murmullaku, e cila shkroi në Prekaz familjen e saj për nder të natës së zjarreve, tha se shkoi për të nderuar familjen Jashari.

“Unë kam ardhur këtu për të nderuar familjen Jashari… Familja e Jasharëve ka rënë dëshmorë për të mbrojtur kombin e tyre që ne sot të jemi të lirë, të flasim të lirë dhe të mund të vijmë në këtë vend të lirë”, tha ajo.

Në mesin e qytetarëve që morën pjesë në manifestimin Nata e Zjarreve ishte edhe Mirahat Veseli nga Tetova.

“Nata e zjarreve, 5,6,7 mars janë beteja heroike e Jasharëve kundër forcave serbe, gjithë shqiptarët kudo që janë krenar me veprën e Jasharëve”, tha ai.

Ndryshe, manifestimi nisi më 5 mars, ku fillimisht në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ora e parë mësimore iu kushtua Epopesë së UÇK-së, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Po, në të njëjtën ditë u mbajt seanca solemne nëpër të gjitha kuvendet komunale, u hap ekspozita “Kujtesa e Kosovës – Adem Jashari – rrëfime për të bëmat dhe heroizmin”, në Bibliotekën Kombëtare, si dhe u mbajt parada e FSK-së në Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë.

6 marsi nisi me homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, ekspozita me fotografi, si dhe përfundoi me një akademi përkujtimore në Prishtinë.

Në ditën e tretë të manifestimit u mbajt një turnir në shigjetari në Skenderaj dhe një tjetër i shahut në Prishtinë.

Back to top button