​Raportimi i KOSTT-it pa prezencën e mediave, “si në kohën e komunizmit”

Në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ku po raporton bordi dhe menaxhmenti i KOSTT-it lidhur me organizmin e brendshëm dhe zbatimin e projekteve nuk janë lejuar mediat, gjë që ka nxitur reagimin e opozitës.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në një prononcim për media tha se një gjë e tillë ka ndodhur vetëm në komunizëm.
“E patë edhe sot se si përjashtohen mediat. Nuk pati diçka sensitive, të ndjeshme që mos me e transmetu nëpërmjet mediave tek qytetarët e Republikës të Kosovës. Kjo është e papranueshme për ne, edhe si deputet edhe si Aleancë, çdo herë kemi qenë afër mediave. Pa mediume, pa informim të opinionit publik të qytetarëve ne kalojmë në një sistem tjetër komunist”, tha ai.
Kritike karshi këtij vendimi ishte edhe deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku – Rexhepi, e cila kundërshtoi largimin e mediave.
Ajo tha se kjo është një tendencë për t’i shantazhuar bordet, në mënyrë që Vetëvendosje të bëjë shkarkimin e këtyre të fundit për t’i zëvendësuar me militantë e familjarë të saj.
“Normalisht që e kundërshtoj largimin e mediave sepse çkado që ndodh në KOSTT sipas informatave që deputetët e pozitës i kanë, ne nuk kemi parë asgjë konfidenciale në materiale që patjetër është dashur me i largu mediat dhe janë po këta të njëjtit që sa kanë qenë bashkëpunim të mirë me mediat sa kanë qenë në opozitë, tani si pozitë gjithçka po iu pengon[…]Unë mendoj se kjo është një tendencë për me i pamundësua zhvillimin kësaj ndërmarrjeje sikurse tendenca tek bordet e tjera. Tek VV s’ka rëndësi kush është i suksesshëm e kush jo, me rëndësi ka me i thirr në raportim, me i mbajt në tension për me i shkarku dhe me i pru familjarët e Vet nëpër këto borde”, tha ajo.
Tutje, Bunjaku – Rexhepi theksoi se në komisionin ku po diskutohet për çështjet e brendshme të KOSTT-it, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje po luajnë rolin e gjyqtarëve dhe të hetuesve.
Sipas saj, kushdo që ka njohuri për shkeljet që bëhen nëpër ndërmarrje duhet t’u drejtohet organeve kompetente.
“Po diskutohen çështjet e brendshme organizative në KOSTT. Unë e di që ne secilën ndërmarrje duhet të bëhet një riorganizim i brendshëm dhe Kosova duhet ta bëjë një riorganizim. Por, në qoftë se duhet patjetër me ndërhy ne si deputetë pse të mos jenë të hapura për media, të gjitha diskutimet që po bëhen. Ne jemi këtu deputetët për Republikës së Kosovës dhe nuk jemi as gjyqtarë e as hetues. Nëse ka ndonjë shkelje janë organet kompetente ku deputetët dhe të gjithë ata që janë të njoftuar me shkeljet duhet me u drejtu në organet kompetente. Nuk duhet me i shantazhu bordet, drejtorët apo kompanitë e ndryshme mos me i kon me punu të lirë në këtë Kosovë. Thjesht deputetët e LVV-së po duan t’i detyrojnë të gjithë të mendojnë si ta”, tha deputetja.
Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila arsyetoi vendimin për largimin e mediave gjatë këtij raportimi, duke thënë se transkipta e këtij takimi do të bëhet publike.

Back to top button