​Sadiku: Haziri më njoftoi për shqetësimet e Agon Musliut

 

 

Në Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë së Kosovës, sot ka dëshmuar ish-zëvendësministër i Shëndetësisë, Izet Sadiku.

Në dëshminë e tij ai tha se asnjëherë më parë nuk kishte dëgjuar për të ndjerin Agon Musliu deri në momentin kur kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, përmes telefonit e kishte njoftuar se i riu nga Gjilani kishte probleme shëndetësore.

Tutje i pyetur në lidhje me listat se kush është karantinuar e kush është liruar, Sadiku, tha se nuk e di për këtë, pasi që s’kishte parë ndonjë gjë të tillë apo ndonjë listë se kush është liruar, dhe se kjo nuk ka qenë përgjegjësi e tij.

Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku thotë se informatë zyre për gjendjen shëndetësore të të ndjerit, Agon Musliu e mori më 3 maj nga kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri. Sadiku thotë se këtë informacion e ka përcjell më pas tek përgjegjësi i Qendrës së Karantinës, Valdet Hashani.

Unë informatën zyrtare e kam marr prej kryetarit të komunës komunikimi më së pari në telefon.. Më datën që ka ndodhur rasti ka qenë nëse nuk gabohem 3 maj ditë e diel ka qenë. Në ora 15:55 më ka thirr në telefon kryetari I Gjilanit më ka thënë Izet e ke një qytetar i cili ka ardhur dje dhe familjarët më kanë se është vendosur në karantinë nga Gjermani dhe më kanë thënë se ka shqetësime dhe probleme psikologjike në bazë të komunikimit që kanë me të. i kam thënë në rregull dërgoni të dhënat e qytetarit dhe të lutem dërgojeni një email zyrtare në Qendrën Operative, por unë do i përcjell. Dhe në orën 15:57 minuta kryetari mi ka dërguar: Agon Musliu, konvikti numër 7, kati i 4-të i lindur më 30.12.94 dje është kthyer nga Gjermani. Unë në 15:59 pas dy minutash e kam thirr menaxherin, doktor Valdetin e kam njoftuar me të njëjtin mesazh dhe i kam thënë po t’i dërgoj të dhënat që mi ka dërguar kryetari me copy-past..Po hera e parë ”, tha ai.

E kryetarja e Komisionit, Mimoza Kusari-Lila pyeti Sadikun se gjatë komunikimit me kryetarin e Gjilanit a është përmendur ndonjë diagnozë tjetër pasi që babi i të ndjerit ka prezantuar një raport mjekësor se Agoni ka pasur probleme me mëlçinë.

Sadiku në përgjigjen e tij tha se përveç shqetësimeve psikologjike nuk është njoftuar për ndonjë diagnozë tjetër.

Asnjëherë më parë gjatë asaj dite ose paraprakisht nuk iu ka kontaktuar askush për rastin e Agon Musliu….Sadiku: asnjë njeri…Kusari-Lila: Në komunikimin tuaj me kryetarin e Gjilanit a është përmendur ndonjë diagnozë tjetër shëndetësore. Prindi i të ndjerit ka sjell me vete një diagnozë mjekësore e cila referon se i ndjerit aso kohe i gjallë ende ka pasur probleme me mëlqin. A është përmendur gjatë komunikimit tuaj me kryetarin e Gjilanit ndonjë diagnozë tjetër e cila do të duhej të ishte arsyetimi sikur e parashihnin edhe rregullat për lirimin e Agonit nga karantina…Sadiku: Nuk ka qenë adresimi se a mu lirua a pse nuk u lirua, adresimi ka qenë se ka shqetësime sipas familjarëve”, ishte debate në mes të deputetet Kusari-Lila dhe ish zëvendësministrit të Shëndetësisë, Sadiku.

Eliza Hoxha, anëtare e këtij komisioni nga PDK, u interesua të di se nga zyrtarët në karantinë a kanë pranuar ndonjë informacion për gjendjen e Agon Musliut. Ai tha se nuk ka pasur ndonjë informatë në këtë drejtim.

Shkumbin Demalija nga AAK duke iu referuar mesazhit që ish zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku e kishte marr nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri për gjendjen e të ndjerit Agon Musliut tha se për të marr shërbim të karantinuarit a është dashur të intervenoj zëvendësministri.

A ka qenë i obliguar personeli i Qendrës së Menaxhimit të Karantinës për me i trajtuar të gjithë të karantinuartit dhe qytetarët që kanë qenë aty njëjtë dhe gjendjen e tyre shëndetësore, apo është dashur me dërguar mesazhe zëvendësministër”, tha ai.

Sadiku theksoi se nuk ka pasur asnjë rast kur e ka përdorur këtë post politik për të liruar ndonjë qytetar nga karantina, apo duke kërkuar trajtim të veçantë për të.

Kjo nuk ka qenë pse unë kam qenë politikan ka pasur edhe qytetar që vetëm e ka gjetur një sms që unë jam zyrtar i ministrisë dhe kanë thënë se e kam një shqetësim kështu.. unë nuk kam mundur me thirr si zëvendësministër me thënë dërgoma psikologun nuk mund të del asnjë rast se sa ka qenë karantina po flas për vete që si zëvendësministër e kam thirrur dikë as kolegët e mijë shko vizitoma filanin”, theksoi Sadiku.

Edhe në këtë mbledhje të Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë së Kosovës, nuk munguan përplasjet në mes të mes të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Debati nisi kur Bekim Haxhiu nga PDK e pyeti ish zëvendësministrin e Shëndetësisë për dyshime për blerje të produkteve me çmime abuzive. 

Përveç situatës së karantinës pas disa raportimeve të medieve për dyshime për keqpërdorime gjatë kohës ës pandemisë blerja e produkteve me çmime abusive. A keni diskutuar ndonjë herë me ministrin Vitia për këto probleme se është duke u zhvatur buxheti i shtetit nga persona të papërgjegjshëm të cilët kanë bërë blerje abuzive duke i rritur çmimet shumë shumëfishë me shtrenjtë”, tha Haxhiu.

Në përgjigjen e tij Sadiku ka thënë se për këtë çështje nuk kanë diskutuar asnjëherë me ish ministrinë e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Sa e kam parë në medie ka pasur shkrime të tilla vetëm në fund të mandatit kanë fillua me dal, ne nuk kemi biseduar ndonjëherë për këto çështje konkretisht sepse edhe unë kam qenë një mandate zëvendësministër dhe e di kush është përgjegjës për hapjen e tenderave. Nuk kemi biseduar asnjëherë për këtë çështje”, u shpreh Sadiku.

Haxhiu tutje vazhdoi duke iu drejtuar Izet Sadikut se në një konferencë për media, kur ka folur ish ministri i Shëndetësisë, Arben Viti, ai e ka shikuar dyshimtë dhe se ato që janë deklaruar nuk kanë qenë të vërteta.

Ai ka treguar se fjala ishte për konferencën, gjatë së cilës Vitia kishte thënë se nuk kishte pasur informata për gjendjen shëndetësore të Agon Musliut.

Ky komunikim ka nxitur reagimin e kryesuese së komisionit, Mimoza Kusari-Lila e cila ka tha se nuk janë për të bërë psikoanalizë. E më pas deputeti Haxhiu tha se gjithmonë është një përpjekje nga Kusari-Lila dhe “kjo tjetra ”duke iu referuar Fatmire Kollçakut. Pas kësaj Kusari-Lila kërkoi që të respektohet gjuha parlamentare.

Po e shoh që ka njëfarë përpjekje edhe ua kam bërë me dije në fillim se nuk ka forcë që mund të më ndal me i paraqitur pyetjet e mija që i kam paraparë. Hiq bash 100 herë ndërhyni ti edhe kjo tjetra…Kusari-Lila:Ne nuk jemi kjo tjetra, ose mësojeni gjuhën kolegiale-parlamentar por me kategorizime kjo tjera, ajo tjetra edhe njëherë po ua tërhoqi vërejtjen dje përdorët një krahasim tjetër ndërsa sot po bënë kategorizime për kolegen”, u shprehen karshi njeri-tjetrit deputetët e opozitës.

Sot në Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë së Kosovës, dëshminë e tij do e jap edhe ish ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia duke fillua nga ora 14:00.

Ndërsa, dje para këtij komision kanë dëshmuar Naim Musliu, i biri i të cilit vdiq tragjikisht në Qendrën Studentore, derisa ajo shërbente si karantinë, si dhe ish-menaxheri i Qendrës së karantinës, Valdet Hashani. Derisa Musliu ka insistuar se djali i tij ka pasur dokumente mjekësore që kanë dëshmuar se ai ka pas probleme shëndetësore, Hashani, ka deklaruar se ata nuk kanë pasur asnjë dokument mjekësor që ka dëshmuar se i ndjeri do të duhej të lirohej nga karantina./KP

Back to top button