Kaloni te përmbajtja kryesore

Konfirmohen disa raste me linë e deleve dhe dhive, AUV-ja u bën thirrje fermerëve për kujdes

Pas konfirmimit të disa rasteve të sëmundjes Lija e deleve dhe dhive (Sheep and Goat Pox) në komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë dhe Viti dhe rrezikut të përhapjes së mëtutjeshme të kësaj sëmundje, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u ka bërë thirrje të gjithë fermerëve të deleve dhe dhive që të rrisin vigjilencën dhe të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

AUV-ja ka njoftuar se bazuar në situatën e krijuar, të mos i lëvizin delet dhe dhitë nga ferma pa autorizimin e veterinerit zyrtar, të kufizojnë hyrjen e personave dhe automjeteve të paautorizuara në fermë, të shmangin kontaktin e kafshëve të tyre me tufat e fermave të tjera. Të pastrojnë dhe të dezinfektojnë rregullisht objektet, pajisjet dhe mjetet e transportit, që çdo kafshë të sapoblerë të ta mbajnë të ndarë nga tufa për një periudhë vëzhgimi dhe të kontrollojnë çdo ditë gjendjen shëndetësore të kafshëve.

“Nëse vëreni shenja klinike si: temperaturë të lartë, puçrra ose plagë në lëkurë, gojë, hundë apo gjinj, rrjedhje nga sytë ose hunda ose mungesë oreksi, dobësi ose ngordhje, njoftoni menjëherë veterinerin privat ose inspektorët e AUV-ës. Mos tentoni t’i trajtoni ose t’i lëvizni kafshët e dyshuara”, thuhet në njoftimin e AUV-së.

Bashkëpunimi i fermerëve thuhet se është vendimtar për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe për të mbrojtur tufat në të gjithë vendin.

“Lija e dhenve dhe lija e dhive nuk është sëmundje që transmetohet tek njerëzit, nuk paraqet rrezik për shëndetin publik. Është sëmundje e karakterit ekonomik e cila shkakton humbje për ekonominë e fermerëve dhe të shtetit”, thuhet në njoftimin e AUV-së.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button