​Theret me thikë një i mitur, arrestohen dy persona

Arrestohen dy persona të dyshuar për veprën penale ‘lëndim i rëndë trupor’

Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, përkatësisht stacioni policor i  Pejës, në rr. “Esat Mekuli” në Pejë, është informuar sot për një incident  i cili u cilësua si  lëndim trupor, ndaj një të mituri i cili kishte pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë (thikë).

Njësiti policor nga stacioni policor  në Pejë menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes në ora 9:45 ku edhe  është gjetur viktima në vendin e ngjarjes i plagosur nga mjeti i mprehtë në këmbën e majtë në pjesën e gjurit.

Me autoambulancë është dërguar  në emergjencën e Spitalit Rajonal  të Pejës, e pastaj nën përkujdesje mjekësore është dërguar për në QKUK  në Prishtinë për trajtim të mëtejmë.

Sipas mjekëve gjendja shëndetësore e viktimës është stabile dhe viktima është jashtë rrezikut për jetë.

Nga njësitë përkatëse të policisë janë ndërmarrë masat e nevojshme të menjëhershme dhe dy persona të dyshuar të moshës së mitur janë arrestuar, njëri për ‘shkaktim të lëndimit të rëndë’, ndërsa tjetri për ‘fshehjen e mjetit’ me të cilin ishte shkaktuar lëndimi.

Për rastin është informuar prokurori dhe me vendim të tij, personi i parë i dyshuar ndalohet për veprën penale ‘lëndim i rëndë trupor’, ndërsa i dyshuari i dytë për veprën e ‘dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale’ lirohet në procedurë të rregullt.

Hetuesit janë duke punuar në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti./21Media

Back to top button