​Veseli thirrje shqiptarëve në Mal të Zi: Votoni partitë shqiptare

 

Kryetari i Partisë Demokratike të  Kosovës, Kadri Veseli u ka bërë thirrje shqiptarëve në Mal të Zi që në zgjedhjet e 30 gushtit t’i votojnë partitë shqiptare.

“Shqiptarët duhet të kenë besim tek forca e votës si dhe tek proceset demokratike, si rruga e vetme e duhur për të realizuar të drejtat dhe interesat kombëtare. Po ashtu, duke votuar listat shqiptare, ata forcojnë peshën e tyre për të ndikuar vendim-marrjen e këtij shteti, në mënyrë që të përmbushen kërkesat e tyre legjitime.”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Ai tutje ka thënë se bashkëkombësit në Mal të Zi, janë faktor i vyer konstruktiv, “gjë që e kanë dëshmuar me përkrahjen e referendumit të pavarësisë, e hyrjes në NATO dhe të gjitha proceseve e reformave demokratizuese të këtij shteti mik. Forcimi i zëri të shqiptarëve në institucionet shtetërore të Malit të Zi, është në dobi edhe të vetë këtij shteti fqinj, sepse shqiptarët kudo ku jetojnë e mbajnë të palëkundur orientimin euro-atlantik dhe mbështesin pa kursim forcimin e liberal demokracisë dhe bashkëjetesës në diversitet.”, ka përfunduar Veseli./21Media

Back to top button