“​VV-ja me vota të PDK-së dhe LDK-së, në muajin shtator synon të rrëzojë Qeverinë Hoti”

Lëvizja Vetëvendosje do të intensifikojë veprimet në muajin shtator për të rrëzuar qeverinë Hoti. Anëtari i kryesisë së LVV-së, Haki Abazi thotë se mocioni i mosbesimit është një proces që pritet të ketë sukses duke llogaritur në mbështetjen e një pjesë të LDK-së, por edhe të PDK-së.

Ish-zëvendëskryeministri, Haki Abazi në një intervistë thotë se bazë të zhvillimeve që pritet të ndodhin javët në vijim duhet të ketë rikonfirmim të legjitimitetit qytetarë.

“Ky është proces normalisht presim që të realizohet me sukses edhe nënshkrimi i të gjitha subjekteve që janë duke parë që me këtë qeveri jemi në rënie të lirë…Unë mendoj që edhe një pjesë e LDK-së është e pakënaqur me atë se çfarë ka rezultuar i gjithë orkestrimi për të rrëzuar qeverinë legjitime dhe krijuar një qeveri që është e paaftë për të menaxhuar situatën. Është në të mirën e të gjithëve që mos të thellohet kriza politike, por edhe problemet tjera me të cilën është duke ballafaquar vendi. Unë pres në 2-3 javët e ardhshme zhvillime të rëndësishme për vendin e cila situatë ka me kërkua rikonfirmim të legjitimitetit qytetarë”, thotë të ai.

Ani pse u shpreh se ka një lloj flirti mes PDK-së dhe LDK-së për bashkëqeverisje, Abazi thotë se beson që në këtë parti do të ketë mendim të shëndosh dhe racional për vendin.

“Është një diversitet, mos të them dallime brenda partive politike në atë se çfarë duhet të bëhet. Sigurisht që Kemi pa një flirti dhe bashkëpunim të PDK-së nën tavolinë me LDK-në për përcaktimin e anëtarëve të bordeve publike, interesave të grupeve të ndryshme. Por gjithashtu mendoj që në secilën parti ka mendim të shëndosh dhe racional në atë se ku është duke shkuar vendi”, u shpreh Abazi.

Ndërkohë, ish-zëvendëskryeministri e cilëson si manovër politike kandidimin e Ramush Haradinajt për president të vendit.

“Dosido është tentim i manovrimi të hapësirës politike, por assesi nuk mund t’i ikë zgjedhjeve sepse është e vetmja formë edhe sovrani është i vetmi faktorë që përcakton formën e përfaqësimit. E që rrjedhimisht nxjerr edhe presidentit sepse ne jemi shtet parlamentar dhe presidenti është i përcaktuar me Kushtetutën të jetë figurë unifikuese. Nuk ma merr mendja që dikush beson që një përfaqësues i një partie politike që ka 8 përqind të përkrahjes qytetare të konsiderohet figurë unifikuese për gjithë vendin”, thotë ai.

Krahas kësaj ai kërkoi kujdes që mos të hapet tema e asociacionit të komunave serbe në dialogun Kosovë-Serbi.

“Përveç që nuk e ka guximin, nuk e ka as njohurin sepse në disa deklarata radhazi ka thënë se në do të shkojmë kudo që na ftojnë. Kjo nuk është qasje serioze ndaj një procesi shumë të komplikuar dhe të rëndësishëm”, thotë ai.

Nevojën e zgjedhjeve të reja Abazi e arsyeton edhe sa i përket keqmenaxhimit me pandeminë Covid-19, që sipas tij vendi po shkon drejt një katastrofe humanitare./kp/

Back to top button