​Xavi i thotë skuadrës së tij se duhet të besojë më shumë në vetvete

“Sundimi” i Xavit si trajner i Barcelonës filloi të martën. Legjenda spanjolle zbarkoi në stërvitje herët në mëngjes për të takuar lojtarët e skuadrës së tij që nuk janë ftuar nga kombëtaret e tyre dhe për të folur me ta së bashku me presidentin Joan Laporta.
Xavi ka marrë drejtimin e Barcelonës dhe tashmë ka bërë të ndihet praninë e tij. Trajneri 41-vjeçar ka bërë seancën e tij të parë stërvitore sot në mëngjes duke mbërritur dy orë e gjysmë më herët në “Ciutat Deportiva” për të filluar aventurën e tij në klub.
Që në takimin e parë, “Marca” raporton se Xavi ka prezantuar rregulla strikte para lojtarëve që në asnjë mënyrë nuk duhet të thyhen dhe ka kërkuar prej tyre rritjen e standardit në të gjitha nivelet.
“Duhet të besoni në veten tuaj. Ajo që ndodhi në Vigo [kundër Celta Vigos] nuk mund të ndodhë me ju. Duhet të jeni gjithmonë vigjilent; nuk mund të hyni në pjesën e parë me 3-0 epërsi dhe të përfundoni duke barazuar”, ka thënë Xavi.
Debutimin e tij si trajner i Barcelonës Xavi do ta bëjë kundër Espanyolit më 20 nëntor.

Back to top button