10 mijë euro për t’u bërë shtetas i Kosovës, arrestohen 2 persona

Dy persona janë arrestuar pasi që dyshohen se kanë bërë regjistrimin e njërit nga të dyshuarit si shtetas të Republikës së Kosovës në mënyrë të kundërligjshme.

I dyshuari me iniciale A. R. viti i lindjes 1978, shtetas i Maqedonisë së Veriut, në këmbim të regjistrimit të tij si shtetas i Republikës së Kosovës në Komunën e Vitisë, kishte paguar shumën prej dhjetë mijë euro përmes një të dyshuari tjetër i cili ndodhet në kërkim policor, me qëllim të regjistrimit të tij në sistemin elektronik të gjendjes civile, duke u pajisur kështu me dokumente personale si: certifikatë, ekstrakt të lindjes dhe letërnjoftim nga ana e të dyshuarit mashkull kosovar me inicialet M. D. viti i lindjes 1962.

Lidhur me rastin personat e dyshuar të identifikuar janë intervistuar, ku ndaj të dyshuarit të parë është iniciuar rasti ‘dhënie e ryshfetit’ si dhe i është sekuestruar letërnjoftimi i Republikës së Kosovës e po ashtu i është anuluar regjistrimi nga Drejtoria e Administratës/Sektori i Gjendjes Civile, Viti.

Ndaj të dyshuarit të dytë i cili ka kryer shërbimin e regjistrimit të kundërligjshëm të të dyshuarit të parë është iniciuar rasti ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe pas aktvendimit të prokurorit kompetent mbi ndalim, që të dy janë dërguar në mbajtje për 48 orë./21Media

Back to top button