10 muaj burg për personin që kanosi ambasadorin amerikan

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 10 muaj burgim I.G pasi ka pranuar fajësinë se përmes telefonit ka dërguar porosi në formë elektronike (e-mail) në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, duke kanosur me vrasje ambasadorin dhe zyrtarët e tjerë.
Mesazhi përmes postës elektronike ishte dërguar në qershor të këtij viti.
Aktgjykimi ndaj të pandehurit është shpallur të hënën nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Vesel Ismajli, pasi që i akuzuari kishte pranuar fajësinë.
“Pendohem jashtëzakonisht thellë për veprën penale që e kam kryer, kërkoj falje publikisht në emër timin dhe të familjes”, i ka thënë Gjykatës, i akuzuari.
Prokurori Afrim Shefkiu ka deklaruar se pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit është i plotë dhe në përputhje të plotë me provat materiale të bashkangjitur aktakuzës.
Sipas aktakuzës të ngritur më 3 shtator 2021, I.G ngarkohet me veprën penale “rrezikimi i personave me mbrojtje ndërkombëtare”.
I akuzuari sipas aktakuzës kishte kanosur seriozisht ambasadorin dhe përfaqësuesit e kësaj ambasade.
Sipas aktakuzës, i akuzuari kishte thënë se nuk ka pasur qëllim të vrasë ambasadorin por të sensibilizojë Ambasadën e SHBA-së në Kosovë me padrejtësitë ndaj familjarëve të tij në një proces gjyqësor./Betimi në Drejtësi

Back to top button