12 kërkesa për të forcuar lidhjet ekonomike Kosovë-Gjermani

 

Për t’i forcuar lidhjet ekonomike me Gjermaninë akoma më shumë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare propozoi dymbëdhjetë kërkesa për shqyrtim nga partitë politike në Kosovë dhe për fituesit e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës 2021.

Shumica e këtyre propozimeve, sipas drejtuesve të OEGJK, do të ndihmonin gjithashtu tregtinë e Kosovës me vende të tjera dhe tërheqjen e investimeve të huaja, tregtia elektronike dhe themelimin e Gjykatës Komerciale.

Kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Ilir Aliu tha në një konferencë për media se kjo odë ka qenë dhe vazhdon të jetë apolitike, dhe beson se këto zgjedhje këtë vit ofrojnë një mundësi të mirë për politikanët dhe qytetarët që të diskutojnë për lidhjet e reja ekonomike me Gjermaninë.

Ndërsa drejtoresha e OEGJK, Nora Hasani ka elaboruar dhe përmbledhur pikat kyçe të këtyre rekomandimeve, e cila tha se planin që e ka hartuar Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare përmban 12 propozime mjaft konkrete, që sot ia kanë dorëzuar të gjitha partive politike që janë në garë për zgjedhjet në Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka inkurajuar qeverinë e ardhshme që të ketë në fokus edhe tregtinë elektronike dhe themelimin e Gjykatës Komerciale.

Drejtoresha Hasani ka treguar edhe për rritjen e kërkesave nga kompanitë e mëdha gjermane për shumë sektorë të rëndësishëm në Kosovë.

“Në pjesën e dytë të vitit të kaluar në odën tonë kemi pasur shumë më shumë kërkesa prej kompanive gjermane, kompani këto të mëdha prodhuese, që kanë shprehur interesim tek ne për sektorë shumë specifik. Pra, veç kanë filluar të interesohen se cilat kompani vendore në Ballkanin Perëndimor mund të ofrojnë prodhime si të metalit, plastikës, me qëllim diversifikimin e furnitorëve që i kanë kudo. Kjo është diçka shumë konkrete, ne kemi përcjellë informacione tutje. Po ashtu kemi marrë edhe kërkesa të tjera nga kompanitë të cilat janë në proces të planifikimit të zhvendosjes nga vendet e Azisë sa më afër Evropës dhe kanë shprehur interesim për kushtet që i ofron Kosova. Nëse ne përmirësojmë kornizën bazë dhe iu ofrojmë siguri investitorëve që ndërlidhet ngushtë me planin 12 pikësh që e kemi ne, atëherë nuk do të jetë e vështirë që të konkurrojmë me vendet e rajonit”, tha ajo.

OEGJK përfaqëson mbi 100 kompani anëtare në Kosovë, të cilat kanë bashkëpunim ekonomik tregtar me Gjermaninë.

Back to top button