Kaloni te përmbajtja kryesore

SHBA dhe Arabia Saudite godasin objektiva në Irak

Pas disa ditësh pezullimi të sulmeve, në rajonin e Gjirit Persik kanë rifilluar sulmet nga Irani dhe Shtetet e Bashkuara. Ushtria amerikane, në koordinim me Arabinë Saudite, goditi pozicionet e milicive pro-iraniane në Irak. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se bëhej fjalë për sulme të precizuara ndaj disa depove logjistike dhe magazinave të armëve, përcjell DW.

SHBA-ja dhe Arabia Saudite e akuzuan milicinë proiraniane për më shumë se 30 sulme me dronë gjatë 72 orëve të fundit. Grupimi, emri i të cilit nuk u bë i ditur, ka vepruar me urdhër të Gardës Revolucionare iraniane, thuhet.

Milicia raporton të paktën për dhjetë të vrarë

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) deklaroi gjithashtu se Garda Revolucionare Iraniane dhe grupet e saj të armatosura aleate, të cilat konsiderohen terroriste, duhet t’i ndalin këto sulme për të shmangur reagime të tjera ushtarake nga ana e Shteteve të Bashkuara. Në Irak veprojnë dhjetëra grupe të fuqishme të armatosura të mbështetura nga Teherani. Shumë prej tyre u formuan pas pushtimit të Irakut nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003.

Sulmet duket se kishin në shënjestër aleancën e milicëve Hashd al-Shaabi. Sipas informacioneve që agjencia AFP mori nga rrethet pranë këtij grupi, të paktën dhjetë anëtarë të tij janë vrarë. Janë goditur disa objekte në rajone të ndryshme të Irakut. Ka edhe të plagosur, ndërsa numri i viktimave pritet të rritet.

Sulme iraniane ndaj Jordanisë

Më herët, sipas ushtrisë amerikane, forcat e armatosura iraniane lëshuan disa raketa balistike ndaj trupave amerikane në Lindjen e Mesme. “Të gjitha raketat iraniane u shkatërruan me sukses”, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) në platformën X. Objektivi fillestar duket se ishte një bazë ushtarake amerikane në Jordani. Ushtria jordaneze bëri të ditur se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin shkatërruar pesë raketa. Nuk u bë e ditur nëse kishte viktima.

Eksperti për Iranin, Hamidreza Azizi, shkroi në platformën X se kjo ishte hera e parë që Irani ndërmerrte një sulm pa qenë më parë vetë objektiv i një sulmi nga SHBA-ja ose Izraeli. Ai vuri në dukje një lidhje të mundshme me vizitën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë. Sipas tij, sulmi me raketa mund të ketë qenë një paralajmërim për Uashingtonin që të mos i bashkohet një fushate të re ushtarake kundër Iranit.

Ushtria amerikane goditi objektiva në Iran për gati dy javë rresht, derisa të premten e kaluar u arrit një pauzë e përkohshme e luftimeve. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kjo pauzë kishte për qëllim t’u jepte një mundësi tjetër negociatave që po zhvillohen me Teheranin.

Në të njëjtën kohë, mediat amerikane raportojnë për shqetësime në rritje brenda administratës lidhur me përshkallëzimin e konfliktit, ndër të tjera për shkak të pakësimit të rezervave të municioneve. Sipas gazetës amerikane The New York Times, shqetësimi lidhet kryesisht me municionet e mbrojtjes ajrore, si raketat e sistemit Patriot.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button