12 viktima, 9 qytetarë me Omicron! Tateshi me dyshime për ministrin e ardhshëm

Te 9 pacientë është detektuar varianti Omicron i COVID-19. Tetë prej tyre janë nga Shkupi dhe një nga Koçani, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë, me çka në vendin tonë tashmë gjithsej kemi 10 të persona të diagnostikuar me variantin Omicron.
“Në laborator janë përpunuar 24 mostra pozitive për SARS-COV 2, mostrat janë nga pacientë nga Shkupi, Koçani, Velesi, Gjevgjelia dhe Bogdanci. Nga numri total i testuar, në 9 pacientë është zbuluar varianti i virusit Omicron, që përbën 37,5% të mostrave pozitive”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Gjithashtu sot kemi numër shumë më të madh të të infektuarve në krahasim me ditët e kaluara kur maksimalisht kishim 500.
Në 24 orët e fundit 1.197 qytetarë kanë rezultuar pozitivë, ndërsa  12 pacientë kanë ndërruar jetë si pasojë e COVID-19.
Janë bërë 7.483 testime për corona virus, ndërsa 1.197 raste kanë rezultuar pozitiv.
Shkup – 766, Manastir – 94, Prilep – 56, Kavadar – 38, Veles – 31, Ohër – 24, Gjevgjeli – 23, Kumanovë – 18, Resnjë – 16, Tetovë – 15, Shtip dhe Strumicë – 12, Koçani – 11, Kërçovë, Negotinë, Kriva Pallankë dhe Radovish – 10, Dellçevë dhe Vallandovë – 7, Strugë dhe Bogdanci – 5, Gostivar dhe Sveti Nikollë – 4, Makedonski Brod – 3, Berovë, Probishtip, Demir Hisar, Krushevë, Demir Kapi dhe Dojran – nga 1.
Nga partia opozitare shqiptare Aleanca për shqiptarët reaguan në lidhje me pandeminë, duke e akuzuar ministrin në largim Venko Filipçe për keqmenaxhim të situatës me virusin korona. Mjeku Bekim Tateshi u shpreh skeptik edhe për ministrin e ardhshëm Bekim Sali.
“Unë mendoj se kapacitetet e z. Bekim Sali ju do t’i shihni, por dyshoj në atë se është një periudhë shumë e rëndë dhe kjo problematikë kërkon një ekip të gjërë, të profesionistëve, të cilët do t’i bëjnë ballë kësaj sfide. Pritet siç thamë të jetë një periudhë COVID-off, kur mendohet të fitohet pandemia, por asgjë nuk është e sigurtë. Mund të paraqiten edhe forma tjera të virusit SarsCov2”, u shpreh Bekim Tateshi nga Aleanca për Shqiptarët.
Tateshi tha se situata epidemiologjike me virusin korona më së miri do të vërehet pasi të kalojnë edhe disa ditë nga festat e fundvitit, për shkak të grumbullimeve të qytetarëve. Prezenca e mutacionit Omicron dëshmon se virusi ka veti patologjike të zbutura, shtoi mjeku Tateshi.
Përndryshe nga Ministria e Shëndetësisë po ashtu njoftuan se në sistemin “Termini im” janë paraqitur edhe 3 pacientë të vdekur, të cilët kanë ndërruar jetë në periudhën prej 23 dhjetor deri 2 janar./TV21

Back to top button