147 foshnje vdiqën sivjet në Neonatologji

Numri i foshnjave të lindura në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjatë vitit 2021, ka qenë 8 mijë e 871. Ndërkaq numri i vdekjeve në Klinikën Neonatologjike në QKUK është 147. Këto statistika i ka konfirmuar për portalin rtv21.tv drejtoresha e kësaj klinike, Hajrije Ismaili.
“Vdekshmëria në Klinikën e Neonatologjisë për vitin 2021 është 16.5 promil”, ka konfirmuar Ismaili.
Drejtoresha e Neonatologjisë ka thënë se ka pasur foshnje nga e gjithë Kosova që janë trajtuar në Klinikën e Neonatologjisë së QKUK-së.
Lidhur me 147 foshnjat e vdekura, ajo thotë se 24, janë sjellë në këtë klinikë nga spitalet rajonale.
“Nga numri i gjithëmbarshem i foshnjeve të lindura gjallë në KOGj 8871, kanë vdekur 147. Ndërkaq nga rastet e pranuara nga jashtë, gjithsejt 560, të vdekur janë 24”, ka thënë Dr. Hajrije Ismaili.
Sipas Ismailit problemet më të shpeshta që shkaktojnë vdekjen e foshnjave janë asfiksionet perinatale, prematuriteti me komplikime, anomalite komplekse, infeksionet etj.
Doktoresha Ismaili për portalin rtv21.tv ka thënë se edhe pesha e vogël trupore rrezikon vdekje të foshnjave.
“Sa më e vogël pesha trupore dhe sa më ultë javët gjestative, rritet rreziku për vdekje”, ka thënë ajo duke theksuar se pesha më e vogël e një foshnjeje ka qenë 480 gramë.
Ndërsa, sivjet sipas doktoreshës 10% e lindjeve kanë qenë të parakohshme.
“Numri i lindjeve të parakohshme është 10%. Foshnjet e lindura para kohe ose premature janë foshnje të lindura para javës së 37 gjestative. Sa më e parakohshme foshnja, rreziku për sëmundshmëri, komplikime dhe vdekje është më i madh”, ka thënë Ismaili.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2020 në gjithë Kosovën kanë vdekur 65 foshnja./21Media

Back to top button