Kaloni te përmbajtja kryesore

Krerët e shtetit nderojnë policët e rënë në detyrë, Kurti: Kosova është më e sigurt se kurrë

(Lajm i përditësuar)


Krerët e shtetit nderojnë policët e rënë në detyrë, Kurti: Kosova është më e sigurt se kurrë

Në Ditën Memoriale të Policëve të Rënë në Detyrë, krerët më të lartë të institucioneve të Kosovës kanë nderuar kujtimin e policëve që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës, duke bërë homazhe pranë Lapidarit të Policëve të Rënë në Prishtinë.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, kanë përkujtuar 24 policët e rënë në detyrë, duke vlerësuar kontributin dhe sakrificën e tyre për vendin.

Ajo përmendi veçanërisht policët Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku, duke theksuar se ata ranë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues të Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi është më i sigurt se më parë dhe se institucionet e sigurisë kanë treguar qëndrueshmëri përballë sfidave të vazhdueshme.

“Dita e sotme përkon me 15-vjetorin e vrasjes së Enver Zymberit, i cili po zbatonte ligjin e Republikës, po mbronte integritetin territorial dhe po garantonte siguri, paqe e të drejta për të gjithë pa dallim…Që prej atëherë, Enver Zymberin e kujtojmë si hero të Kosovës, si hero të shtetësisë dhe pavarësisë sonë. Rënia e tij frymëzoi shumë policë të Kosovës që të vazhdojnë shërbimin në mbrojtje të qytetarëve”, tha ai.

Kurti përmendi edhe sulmet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duke përfshirë rastet e vrasjes së Enver Zymberit dhe Afrim Bunjakut, si dhe largimin e policëve serbë nga institucionet e sigurisë në vitin 2022.

Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë dëshmuar forcë dhe rezistencë gjatë viteve të fundit.

“Republika e Kosovës sot është më e sigurt se kurrë, ndërsa institucionet tona të sigurisë kanë treguar se janë të afta të përballen me çdo sfidë”, përfundoi Kurti.


15 vjet nga rënia e Enver Zymberit, Kurti: Kosova është më e sigurt se kurrë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova është sot më e sigurt se kurrë, duke vlerësuar se institucionet e sigurisë kanë dëshmuar qëndrueshmëri dhe profesionalizëm përballë sfidave ndër vite.

Komentet e tij u bënë pas homazheve te memoriali i policëve të rënë në krye të detyrës, në 15-vjetorin e rënies heroike të Enver Zymberit.

Kurti tha se dita nisi me homazhe te varri i Adem Demaçit, në tetëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, së bashku me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.

“Bashkë me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjën Albulena Haxhiu, sot ditën e filluam me homazhe te varri i Adem Demaçit, simbolit të rezistencës, Mandelës sonë dhe Mandelës evropiane, i cili kaloi 28 vjet në burgjet e ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë dhe të cilit sot ia shënojmë tetëvjetorin e ndarjes nga jeta.

Prej aty erdhëm këtu, te memoriali i policëve të rënë në krye të detyrës, për t’i nderuar ata, bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, si dhe kolegë të tjerë nga ekzekutivi i Republikës dhe Policia e Kosovës”, tha ai.

Duke folur për Enver Zymberin, Kurti tha se ai u vra teksa po zbatonte ligjin, mbronte integritetin territorial dhe garantonte siguri e paqe për të gjithë qytetarët.

“Dita e sotme përkon me 15-vjetorin e vrasjes së Enver Zymberit, i cili po zbatonte ligjin e Republikës, po mbronte integritetin territorial dhe po garantonte siguri, paqe e të drejta për të gjithë, pa dallim. Mirëpo, dora kriminale e strukturave të Serbisë qëlloi për vdekje mbi të. Që prej atëherë, Enver Zymberin e kujtojmë si hero të Kosovës, si hero të shtetësisë dhe pavarësisë sonë. Ai po zbatonte ligjin dhe, me rënien e tij, frymëzoi shumë policë të Kosovës, si ata që ishin në detyrë, ashtu edhe të tjerë që më pas iu bashkuan Policisë”, u shpreh Kurti.

Ai përmendi edhe zhvillimet e 5 nëntorit 2022, kur rreth 550 policë të komunitetit serb u larguan kolektivisht nga veriu i vendit me urdhër të Beogradit, duke thënë se kjo nuk e dëmtoi funksionimin e Policisë së Kosovës.

“Sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe stabiliteti institucional nuk u cenuan, ndërsa karakteri shumetnik i Policisë së Kosovës u ruajt, pavarësisht përpjekjeve për ta minuar atë”, deklaroi Kurti.


Policia e Kosovës shënon Ditën Memoriale të zyrtarëve të rënë në kryerje të detyrës

Policia e Kosovës organizon sot një varg aktivitetesh për shënimin e Ditës Memoriale të Zyrtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës, në nderim të sakrificës dhe kontributit të tyre për sigurinë dhe rendin në vend.

Aktivitetet nisin në orën 10:00 me homazhe shtetërore pranë Lapidarit të Policëve të rënë, në oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Në vazhdim të agjendës, në orën 11:00 do të mbahen homazhe te varri i Heroit Afrim Bunjaku në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë, ndërsa në orën 11:15 delegacioni i Policisë së Kosovës do të vizitojë familjen e Bunjakut.

Më pas, në orën 12:15, do të zhvillohet një vizitë në familjen e Heroit Enver Zymeri në Vushtrri.

Aktivitetet përmbyllen në orën 13:30 me homazhe pranë lapidarit në vendin e rënies së Heroit Enver Zymeri, në Varagë të Zubin Potokut.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button