Ngricat kanë dëmtuar pemët në Malishevë

Të gjitha kulturat e pemëve janë dëmtuar

Temperaturat e ulëta që kanë mbretëruar ditëve të fundit, e sidomos gjatë natës së mbrëmshme, kanë dëmtuar në masë të madhe pemët. Më të dëmtuar janë pemëtarët të cilat kanë plantacione të mëdha me pemë.

Në komunikatën për media, thuhet se për vlerësimin e dëmeve, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka thënë se do të formohet një komision për vlerësimin e dëmeve.

Formimin e komisionit, Begaj e ka paralajmëruar gjatë vizitës që ju ka bërë disa pemishteve.

“Dëmet janë të mëdha, dhe për këtë qëllim do të formohet një komision për vlerësimin e dëmeve, edhe pse ne si komunë nuk kemi mundësi të kompensimit të dëmeve”, tha Begaj.

Pemëtari nga Gurbardhi, Milazim Berisha tha se e ka një pemishte me mbi dy hektarë me kumbull, mirëpo ngricat e mbrëmshme, e kanë dëmtuar në tërësi pemishten.

“Një qind për qind e kumbullave janë dëmtuar dhe këtë vit nuk do të ketë fryte të kumbullës”, tha Berisha, i cili jeton nga kjo punë.

Pothuajse të gjitha kulturat e pemëve janë dëmtuar, por dëme kanë pësuar edhe serrat. Gjithashtu, sipas komunikatës edhe gjethet e drunjve në male, janë dëmtuar./21Media

Back to top button