16 vjet nga vdekja e presidentit Ibrahim Rugova

Sot janë bërë 16 vjet nga vdekja e presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Ai vdiq më 21 janar të vitit 2006, u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Në përvjetorin e 16-të të vdekjes së tij do të bëhen homazhe te varri i tij në Velani. Ndërkaq në ora 14:00 në Gjilan do të mbahet edhe një akademi përkujtimore.
Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, presidenti i Kosovës, në atë kohë Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.
Dr. Ibrahim Rugova ishte lindur më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rugova ishte Presidenti i parë i Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006. Ishte intelektual, akademik dhe kritik letrar i njohur shqiptar. U njoh si lider i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, i lëvizjes së gjerë për emancipim, çlirim kombëtar e pavarësi të Kosovës./21Media

Back to top button