Veseli: S’ka zhvillim të shtetit pa përfaqësim adekuat të gruas

Kryetari i PDK së, Kadri Veseli, të martën ka takuar gratë ndërmarrëse për të folur për rolin e gruas në shoqëri dhe për t’i dëgjuar problemet me të cilat ballafaqohen ato

Ai me këtë rast u tha grave ndërmarrëse se pa përfaqësimin e gruas dhe trajtimin e barabartë të tyre me burrat, vendi nuk mund të shkojë përpara.

“A mund të presim që një shtet të ketë zhvillim, pa e pasur përfaqësimin dhe përgjegjësinë e gruas. Asnjëherë kurrë s’ka me mbërri. Mundet vetëm me pas shoqëri patriarkale, e cila e bllokon vetveten. Pa marrë përgjegjësi çdo qytetar, në këtë rast burrat dhe gratë në mënyrë të barabartë, vendi nuk ec përpara. Cilat janë vështirësitë aktuale që në Kosovën tonë sot, gruaja nuk e ka përfaqësimin më adekuat qoftë në institucione. Dalim dhe te pjesa më qenësore ndërmarrësinë”, ka thënë ai.

Ndërsa gratë pjesëmarrëse, kërkuan përkrahje dhe stimulim nga Qeveria dhe institucionet e vendit, pasi që një gjë e tillë sipas tyre, deri tani u ka munguar.

Selvete Gashi, menaxhere në një kompanie të grumbullimit, përpunim dhe riciklim të plastikës, tha se biznesi prodhues është në një situatë jashtëzakonisht të vështirë dhe se nuk i është dhënë rëndësia e duhur nga shteti.

“Turi i dëgjimit shumë po më pëlqen, sepse duhet me tregu çfarë sfida kemi dhe në çka po kalojmë si biznese. Unë po them për biznes prodhues që është në një situatë jashtëzakonisht të vështirë. Të gjitha tjerat kanë sfidat e tjera, por biznesi prodhues është shtyllë e shtetit e dimë të gjithë. Kësaj fushë të riciklimit nuk i është dhënë rendësi deri tani nga askush. Unë dëshiroj që ju së bashku me Qeverinë te diskutoni rreth kësaj çështje. Kushtet nuk na ofrohen, ne nuk kemi mbështetje prej askujt në shtetin tonë“, tha ajo.

E Veseli nuk hezitonte t’i pyeste gratë, se cila është ideja e tyre, se si institucionet duhet t’i ndihmojnë ato dhe çka duhet të bëjnë konkretisht.

Gashi, e cila paraqiti problemet me të cilat ballafaqohet, i tha kryetarit Veseli se është ai i cili ka zgjedhur ta udhëheqë shtetin dhe se duhet të merret me problemet, me të cilat ballafaqohen ato.

Arieta Nuredini, menaxhere e kompanisë “ Tiki Mozaik”, tha se duhet përkrahje e shtetit për produkte, të cilat prodhohen në Kosovë.

Ndërkaq Ola Syla, udhëheqëse e Shoqatës joqeveritare Krusha e Madhe, tha se gratë kanë vullnet të bëjnë biznes, por atyre u mungon përkrahja. Sipas saj, një ndihmesë e madhe do të ishte lirimi nga tatimet për një periudhë me të gjatë, për të gjitha ato gra, të cilat e fillojnë një biznes.

Back to top button