18 persona humbën jetën nga shirat e rrëmbyeshëm

Të paktën 18 persona humbën jetën si pasojë e shirave të dendur që goditën qytetin brazilian Petròpolis, në rajonin malor të Rio de Zhaneiro, ku dhjetëra familje u prekën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut, thonë burimet zyrtare.
Qyteti, i vendosur rreth 70 kilometra nga kryeqyteti Rio de Zhaneiro, ka të paktën 50 pika aktive përmbytjesh dhe rrëshqitjesh dheu. Ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë për të gjetur dhe ndihmuar viktimat e tjera të mundshme, transmeton rtv21.tv.
“Situata është tragjike. Zjarrfikësit kanë vështirësi të hyjnë në zonat më kritike, sepse në rrugë ka shumë makina dhe autobusë të braktisur. Ka disa rrëshqitje dheu”, tha sekretari rajonal i Mbrojtjes Civile, Leandro Monteiro.
Në videot e transmetuara në rrjetet sociale shihet shembja e barrierave, rrugët e bllokuara dhe makinat dhe mjetet e tjera të zvarritura nëpër rrugë nga forca e stuhive.
Kryebashkiaku i Petropolis shpalli gjendjen e fatkeqësisë publike dhe anuloi mësimet në shkolla.
Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, në një udhëtim zyrtar në Rusi, foli në rrjetet sociale dhe siguroi se kishte folur me ekipin e tij për të mobilizuar “ndihmë të menjëhershme për viktimat”.
Nuk është hera e parë që rajoni malor i Rios goditet nga stuhi të forta, pasi në vitin 2011 ishte skena e tragjedisë më të madhe klimatike të regjistruar ndonjëherë në Brazil, kur stuhitë shkaktuan më shumë se 900 të vdekur dhe 100 të zhdukur./21Media

Back to top button