18 vjet burg për gruan që vrau të dashurin e saj

 

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 18 vjet burg për një grua e cila ka vrarë të dashurin e saj në gusht të vitit 2018.

Siç bëhet e ditur në njoftim gruaja më 31.08.2018, në Ferizaj, me dashje , ka privuar nga jeta tani të ndjerin A.K.

“në atë mënyrë që duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e tij, meqenëse të njëjtit janë njohur dhe kanë qenë në lidhje dashurie më parë, ashtu që e pandehura me përgatitje paraprake, fillimisht vihet në kontakt me të ndjerin përmes telefonit, pastaj kërkon që të takohen, duke mos i dhënë ndonjë arsye konkrete, ndërsa ditën kritike në kohën dhe vendin e njëjtë e lë takimin me të, më pas me veturën e tij, futen në një rrugë qorre dhe derisa gjenden brenda veturës, e qëllon dy herë me armë zjarri, një herë në shuplakë të dorës së djathtë dhe një herë në nofullën e djathtë, duke i shkaktuar kështu plagë vdekjeprurëse, ndërsa menjëherë pas kryerjes së veprës penale e njëjta largohet nga vendi i ngjarjes dhe arratiset për në shtetin e Gjermanisë, me ç’rast pas vërtetimit të vendndodhjes së saj, e njëjta arrestohet nga autoritetet gjermane dhe më 18.12.2019 ekstradohet në Republikën e Kosovës.”, njofton Gjykata.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt./21Media

Back to top button