18 vjet nga vrasja e Tahir Zemaj, Mustafa kërkon drejtësi

 

18 vjet nga vrasja e Tahir Zemaj, Isa Mustafa kërkon drejtësi: Kriminelët të marrin dënimin e merituar

Sot janë bërë 18 vjet prej vrasja e kolonel Tahir Zemaj, Enis Zemaj dhe Hasan Zemaj.

Në 18 vjetorin e vrasje së tyre, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa thotë se me 4 janar të 2003-tës Kosova u trondit nga kjo vrasje.

Mustafa thotë se Tahir Zemaj ishte një profil i lartë ushtarak, i shkolluar e i përgatitur për taktika lufte.

“Më 4 janar të vitit 2003 Kosova u trondit nga një ngjarje e tmerrshme, nga vrasja e Kolonel Tahir Zemajt, djalit të tij Enisit dhe Hasan Zemajt, kryetar i FRLDK-së në Deçan. Tahir Zemaj, ishte një profil i lartë ushtarak, i shkolluar dhe shumë i përgatitur për taktika lufte, të cilat i jetësoi duke u inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai pas vetes afroi djemtë më të mirë të Dukagjinit, me idealin e vetëm çlirimin, e Kosovës. Kolonel Tahir Zemaj, ishte një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, aktivist dhe i pandalshëm dhe njeri i afërt i presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova”, shkruan Mustafa.

Mustafa thotë edhe pas 18 vjetësh nuk dihet asgjë për vrasjen, derisa kërkon që ata që kryen këtë vrasje siç i quan ai kriminelët duhet të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

“Për vrasjen tronditëse tash e gati dy dekada nuk dihet asgjë, ndërsa ne si LDK, familjarët dhe të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre kërkojmë që kriminelët të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. Sot, në 18 vjetorin e vrasjes makabre të Kolonel Tahir Zemaj, djalit të tij Enisit dhe Hasan Zemajt, ne si Lidhje Demokratike e Kosovës i kujtojmë me nder dhe krenari këta protagonistë të çështjes kombëtare. Lavdi jetës dhe veprës së Kolonel Tahir Zemaj, Enis Zemaj dhe Hasan Zemaj!”, thuhet në shkrimin e tij.

Back to top button